ATJONI, KULLA ILIRE, BUZËQESHJA DHE FJALËT PËR ATË…

         – Në 26 vjetorin e lindjes së Atjon Zhitit –

          Atjon Zhiti, i riu nga Tirana, që u bë ikonë e brezit të tij për ëndrrat dhe vrullin, për bukurinë dhe buzëqeshjen, për ato që tha dhe shkruajti si student, sot në 30 gusht, do të ishte 26 vjeç. Sudionte për Filozofi në Universitetin “Sacro Cuore” në Milano në Itali.  

Ai tërhoqi simpatinë e kujdo që e pa. Ai u miqësua dhe me poetë, si Sebastiano Grasso, President i PEN Clubit Italian, me poetin arab që jeton në Paris, Adonis, me poetin rus Evgenij Jevtushenko, etj.

Për atë që dua(m)” është libri i tij me ese e shkrime të tjera, doli në Tiranë në vitin 2015. Dy vjet më vonë u botua albumin i madh me të gjitha vizatimet dhe pikturat të fëminisë dhe adoleshencës, “Opera Atjon”, në dy gjuhë, shqip dhe italisht, me johonë në Shqipëri dhe jashtë saj..

Ai shpesh është dhe bashkëautor, ilustrues i disa librave të babait të tij, Visar Zhitit dhe mamit, Eda Zhiti, po kështu në disa ballina librash janë vendosur piktura të tij nga botimet në Shqipëri e Kosovë dhe në Itali…

Vitin që shkoi doli në Prishtinë libri “Jam Atjoni”.

Kosova ishte dhe dashuria e Atjonit, ai e ndjente Kosovën, ndërkaq e kishte shëtitur të gjithën, vendet historike, kështjellat, kullat, liqenet, kishte shkuar dhe në Preshevë, etj, i pëlqente Prishtina më shumë se Tirana, mbrëmjet dhe kishte shumë shokë. Qe njohur me artistë, me poetët Ali Podrimja e Agim Vinca, me akademik Rexhep Ferrin, me skulptorin Luan Mulliqi, me gazetarin dhe përkthyesin Smajl Smaka, me veprimatrin Riza Krasniqi, me dramaturgun Jeton Neziraj etj, dhe u bë mik me poetin Jeton Kelmendi, nën kujdesin e të cilit u botua libri “Jam Atjoni” dhe jepet dhe çmimi letrar ndërkombëtar “Atjon Zhiti”, nga shoqata e shkrimtarëve “Bogdani, me qendrat në Prishtinë dhe Bruksel. Këtë çmim së pari e mori një poete argjentinase dhe së fundmi një poete japoneze.

Jepet dhe një çmim tjetër ndërkombëtar me emrin “Atjon Zhiti” nga Festivali i Filmit për Fëmijë “Giffoni”.

Janë hapur dhe ekspozita me pikturat e tij, ka patur koncerte për të edhe në Romë. Merrej me sporte, i binte flautit, studionte gjuhë të huaja, latinishten dhe greqishten e vjetër, fliste dhe shkruante italisht dhe anglisht, kishte dëshmi për gjuhë frengjisht dhe gjermanisht.

Atjoni kishte vizituar shumë vende në Europë, edhe Zvicrën me bukur e kishte shkuar deri në SHBA, te gjyshi dhe gjyshja në Chicago, janë të shumtë shqiptarët që duan.

I pëlqente shumë gegërishtja dhe donte që ta njihme më shumë shkrimtarin Martin Camaj, që ta përvetësonte gegërishten e ëmbël. Dhe ka shkruar dhe në gegërisht.

Shume të rinj, studentë në Kosovë, edhe pse nuk e kishin njohur, tani e duan shumë, si shokun e tyre të idealeve rinore…

                                                            – Grupi i shokëve të Atjonit –                                                                               

Ballina e librit “Jam Atjoni”

DY DASHURITË E ATJONIT DHE BUZËQESHJA…                                              

– Sipas studentit nga Kosova –

Në përurimin e librit “Për atë që dua(m)” të Atjonit në Universitetin Europian të  Tiranës, në Aula Magna, të mbushur si kurrë ndonjëherë, me të rinj, intelektualë, shkrimtarë, deputetë, ish të burgosur, të panjohur, vinin të tjerë, s’kishte më vende, rrinin dhe në këmbë, etj, pasi folën emra të njohur për vlerat e librit, mesazhet që përcjell e befasitë, u ngrit në fund dhe një djalë nga salla, vij nga Prishtina, tha, posaçërisht për këtë takim, jam student në Zyrih, Ylli Haziri quhem.                                                                                                            “Jam më shumë sesa shok i Atjonit, – vazhdoi ai – jam vëlla i tij. E kam njohur në mbledhjet e Parlamentit Rinor Europian, ai si shqiptar nga Shqipëria dhe unë si shqiptar nga Kosova. Kemi qenë bashkë në Riga e Barcelonë, në Paris e Pragë, në Beograd, Preshevë dhe Prishtinë, në shtëpitë e mia…kam mbresa të pashlyeshme. Atjoni ishte aq sa i mirë, po aq dhe dinjitoz, të  përqafonte fuqishëm dhe kishte mendime të fuqishme; i gjithi i çiltër dhe gjithë dashuri.                   Atjoni kishte dy dashuri të  mëdha, – tregoi ndër të tjera, teksa dridhej mes emocionesh të  dukshme për shokun e tij, – dashuri për dashurinë, për vajzat si të thuash, dhe dashurinë për atdhe, ku brenda kishte dhe Kosovë. Dhe prekej shpejt…”.                                                                                                        Atjoni dinte të bashkonte. Në një nga takimet e Parlamentit Europian të të Rinjve, ai është mes shokëve shqiptarë dhe serbë, ku me njërën dorë po mban të shpalosur flamurin e Republikës së Kosovë dhe me tjetrën atë të Serbisë. Me çiltërsinë e tyre, ata 19 vjeçarë, bënë atë që politika e dy vendeve, por dhe ajo ndërkombëtare, nuk po e realizon dot. Pranuan tjetrin. Fotoja e këtij çasti është vërtet  emblematike…

 “Do ta rregullojmë botën me anë të buzëqeshjeve”, na thoshte Atjoni – e përfundoi fjalën e tij studenti nga Kosova                                            Buzëqeshja e Atjonit mbetet vepër arti, ajo të bënte për vete, që jo vetëm ta doje, por dhe ta besoje Atjonin menjëherë. Ishte ai që këmbëngulte ndër shokë se duhej të studionin, në universitet jashtë sa më shumë, në Europë e Amerikë e të ktheheshin patjetër, se “Atdheun do ta bëjmë ne”, besonte, “më të bukur dhe më të fortë.

                                                                     (Nga libri “Jam Atjoni”)

Por e risjellim shkrimin e tij “Kulla eme nuk asht’ e vetme”, në gegërishten e Atjonit.

Atjoni dhe Adonis

KULLA EME NUK ASHT E VETME

Nga Atjon Zhiti 

Tash u bane shum net e dit që jam largue prej asaj shpie e atij vendi në gjueti të diçkaje ma t’madhe, që dhe me ma shujtë  mninë që kisha kundrejt kullanëve të mi andej nga Bjeshkët e Epërme t’Kombit tem.

Shka m’bante inatçor me vedin e me t’tjerët ishte arsyja se t’tanë ne knaqeshim me lirinë tonë vetore, lirinë e t’dashtunve ton e të gjanave që kishim mbledh ndër mote, knaqeshim nga çka shisnim n‘pazar e çka blenim e ma vonë, n’saj t’ksaj gjaje, nxuna se na kena qindra mijra të drejta mbi kët dhé shekullnor, por sa ma shumë terre t‘dillit shkonin, siç thoshte gjyshi em për eklipset, aq ma shumë bindesha se ne nuk e meritojmë këtë tokë njikshtu.

Ndërkohe, kur kam mujt me rafigurue kombin tem, mendoj për kët popullnajë, e cila respekton veç nj’ata që dijnë me i fut veç frigën atyne me kamzhig dhe gjaja ma e dhimbshme që arrij me kqyr edhe sot, asht fakti se te ne mbizotnon një farë anarkijet, pasi ne i privojmë vedit konceptin e nji bashkësije të nalt interesash e idealesh t’përbashkta, pasi n’shpirtin tonë mbizotnojnë ndjenja rivaliteti t’theksueme nga krenarija e pamvarsisë vetanake e jo t‘përbashkët. Krijimi i një vetëdije e të tanve na mungon dhe sot e ksaj dite. Ky dhé mujt me ba ma shumë, po kurrë s’kena dit me e frymzue e me shfrytzue.

Ati em asht kan i nxanun dhe n’voglin teme m’shoqërojshin librat n’veçanti, kur kullotja bagtine, edhe pse jo fort t’përhapun kto tekste, po prapë kishin vlerën e tyne e për ma tepër ishin ken libra t’gjyshit e para tij t‘babës s’madh. Kto libra për ma s‘shumti ishin tekste t‘vjetra t‘para lufte e kta autorë kishin gdhi jetën para ardhjes së Naltmadhnisë.

Tue studiue, kuptova që kishin t’tana tiparet e analizës antropoligjike, etnologjike e politike. Falë ktyne lëçitjeve, dija eme për kombin tem u shtue tej mase, si fmij i vocër un nuk e kuptojsha shumë mirë çka ishte feja e Zoti, pasi dhe baba m’thoshte t‘mos flisja me shokët e mi, nëse nuk dishroja që ay t’përfundonte si mos ma keq, por ma vonë, kur i kisha mbush dy dekada jet, kur i famshmi Mur i Berlinit ra e ne ringritëm murin rrëxuem që rrethonte kullën tone, kisha mundësi me fol e me studjue gjana shumë e më shumë t‘bujtme edhe për kët arsye shkova kjamet larg.

Në kto tekste t’lartpërmenduna, kur flitej për kulturën e Shqypnisë në qerthulllin e realitetit të asokohshëm, nuk lihej pa u përmendun skamja, vorfnija, konfliktet, pasigurija e rendit publik, ama viheshin n’pah gjana shumë t’mdhaja siç kje dhe asht me ba lëshime në besim, sidomos në besimin e tjetrit, që sot e quejnë toleranca fetare, që ne sot gabimisht e me mllef e ngatrrojmë me mënjanësinë, me indiferencën: “duke udhtue nëpër Shqypni, u binda se me tri fetë e veta e me tri kleret që bashkjetojnë, asht vendi ma me harmoni që mund t’përfytyrohet”, do shkruente prifti italian Gjakinto Amati në ditarin e tij.

Bashkëkombsit tanë janë luftëtarë krenarë prej natyre, por jo shumë puntuer, kena për zemër nderin tonë e t’armve tona dhe me krijue elegji mbi kto sende asht bukur mirë dhe joshse. Luftësia te na asht nji gjendje e vazhdimtë e shoqnisë, rrallherë asht edhe e rritun prej ndamjes fetare, ndërsa ndisa raste t’tjera nga shpirti, gjaku dhe ligji i malit.

Krijuesi, kur po endej mbi tokën që kishte ba me duert e veta, nuk arriti me njoftë asnji prej trojeve që kishte krijue, sepse kaq shumë kishte ndërhye dora e njeriut e kur mbërriti n’Shqypni ma n’ fund, mujti me thane: “Përnjimend e kremte, vendi i parë që rinjoh, ka ngel njashtu siç e kisha krijue”, kjo lloj gjendje nuk m‘ban shumë krenar… At’here n’ket gjendje shtazore dishroj t‘kallzoj ma shum per kullanët e mi.

 Jeta e malcorit asht gati homerike, u shmanget punvet t‘randa me shum zell dhe dishron ma shumë nje jetë bariu, tue drejtue bagtinë n‘kullota, siç banin herojt antikë grekë. Ama ne si n‘Gegni e si n‘ Toskni kena nji identitet kombtar tonin, boll t’shperndamun mirë, anipse anejna ka nji fare t‘keqe helenike dhe s’mungon ndikimi si ajo e shkjaut, por Shqiptari, kjoft i krishten a musliman, nuk ban shumë pyetje fetare, po përmblidhet fort tek gjuha e kombsija e vet, ne ndër mote kemi dit t‘rrojmë dhe e shpëtueme trashgimnin tonë gjenetike nga përvetsimet e asgjasimet.

Mendoj se edhe si shoqni jemi mjaftueshëm interesant, po t’përsiatësh që mbas prishjes s’administrates otomane, roli i fiseve/tribuve ka ken diçka shumë pozitive, “regjimi” patriarkal nuk duhet me u konsiderue nji stad inferior i qytetnimit, por për me kenë objektiv, bashkue degjenerimeve, shpalohen koncepte morale shum t’nalta, nji mënyre origjinale me pa jeten, nji organizim shoqnor dhe ekonomik, nji poezi me vlera te pakontestueshme, sado që mundet me u dukë antitez e progresit.

Duhet me iu kthye virtuteve, se krahas kulturës intelektuale, ka dhe nji kulturë morale, e domosdoshme, ku na, shqiptarët, jemi shum ma t’fortë, ishim, deshta me thanë, prandaj ia vlen kushtrimi me i ringjallë vlerat e shekujve. Virtutet duen gjindje t’virtutshme.

Dhe para se me ba botën përqark e ma përtej, duhet me ba vedin dhe bota asht e bame vetvetiu… 

Poeti Evgeni Jevtushenko dhe studenti Atjon Zhiti, Lugano, 2014

KANË THËNË PËR ATJONIN:

“…Leximi i shkrimit të Atjonit ka qenë nji eksperiencë që përjetohet rrallë, shumë rrallë, në ditët tona. Dukej sikur zani vjen nga diku larg, shumë larg, dhe na tregon si mendon nji i ri me aftësi të rralla mendimi dhe shprehje, dhe si ndjehet zemra bujare e të rinjëve të pakomprometuem nga ndeshtrashat e jetës “moderne”. 

Unë e përjetova edhe si nji “lajmërim” për ne të gjithë që jemi të zanun me problemet (shpesh artificiale) të jetës së vështirë që jetojmë… Sa mendim i thellë, sa gjykim i mprehtë, dhe sa bujari zemre lexohet në atë shkrim.   

Përdorimi i dialektit geg ashte manifestim i deshirës së autorit me qenë sa ma afër viktimës e me përdorue, si shenjë respekti gjuhen e “fshatit” tij.   

      Sa fisnikëri natyrale; sa ndjenjë miqësore!”

                                                                      Sami Repishti

                                                                      Shkrimtar dhe eseist

                                                            Lauruar në Sorbonë, jeton në SHBA

 Atjonit, të cilin unë kam pasur fatin dhe fatkeqësinë ta njoh që kur ishte tre vjeç, në vitin 1998, në Romë, kur ai vogëlush i bukur e simpatik, i pashoq, me ato flokët kaçurrel, i mërzitur nga të ndjenjurit brenda në shtëpi, më thoshte: xhaxhi, dalim…  

                                                                                          Agim Vinca

                                                                      Shkrimtar dhe studiues, Prishtinë

    

…atë Engjëll që e kam njohur…

                                                                      Eqerem Basha

                                                                   Poet, shkrimtar, Prishtinë

 

“…Kam lexuar esetë e Atjonit, duke perfshire dhe KULLA EME NUK ASHT E VETME. Shndërrisin mendimet e idetë e Tij si shkëndija të një gjeniu të ri! Kam menduar e shestuar gjatë… në kontekst kombëtar e gjithënjerëzor.

Nxorra pasazhe nga shkrimi i Atjonit dhe i shkrova me dorë në fletoren time, që t’i kem gjithnjë afër fjalët e Tij të pjekura, idetë e thella e largpamëse, shprehjet plot rrezatim të një intelekti të rrallë e shpirti subtil. Thashë me vete: Kur ikin njerëz si Atjoni, varferohet planeti e pasurohet Qielli!…”

Ferhat Ymeraga

Kent, Washington State, SHBA

“ …me shkrue gegnisht asht sprovë e njeriut të kulturuem, e njeriut pa paragjykime. Merre me mend, Atjoni  djalosh shpalos dijen e tij për gegnishten dhe asht i hapun për pasurimin e gjuhës sonë të shkrueme me visaret e gegnishtes të lana mbas dore prej druvarëve që i prenë nji krah Gjuhës sonë amtare. Kurse, përkundrazi, do gjoja profesorë të paguem mot e jetë prej  shtetit, u duket se bahet kiameti me studiue gjuhën e Camajt, të Fishtës, të Koliqit e të tjerëve.

      Të mos  e zgjas, Atjoni e ka shikimin ma të kthjelltë se gjojaprofesorët dhe e ka gjuhen ma të rrjedhshme se gjuha e drunjtë e disave prej tyne.”

Sami Milloshi Gazetar, poet, SHBA           

                                                       

 “Atjoni jetoi me optimizëm dhe i përkushtuar për artin dhe jetën…Mbetet një shenjë që simbolizon shpresën dhe gjallërinë rinore.”

Akademik, Prof. Dr. Jeton Kelmendi

President

        “International Writers Assosaciation

          ‘Pjetër Bogdani’

Hijet mes yjeve

Libri i Atjonit – testament i Tij… si Ungjilli për bashkëmoshatarët e tij, fari ndriçues i brezit të tij.

                        Eugjen Merlika   

studiues, kritik letrar, Itali.

          Bota është më e varfër pa Atjonin… Një engjëll i bukur që na fali gjithmonë dashuri, ngrohtësi e miqës…

                                                                                                                                  Luan Topçiu

kritik arti, studiues, përkthyes,

  Bukuresht, Rumani

Kjo fytyrë e bukur engjëllore… ajo krijesë e mrekullueshme pra, ishte bërë për qiellin, jo për këtë botë…

          Helena dhe Ismail Kadare

shkrimtarë 

Bashkudhëtarë dhe kryqëzimi i hijeve.

TË HUAJT PËR ATJONIN:

Nuk kam takuar një të ri kaq të mirë, kaq fisnik dhe kaq të dashur në Shqipëri sa Atjoni…                         

      Robert Elsie 

albanalog kanadez,

Berlin, Gjermani

Atjoni është djali që çdo prind do të donte ta kishte të tijin…

                                                                               Sebastiano Grasso

Poet, President i PEN Clubit, Itali

Është tronditese, një mrekulli në ngjyra… Një fëmijë që mbledh kështu një civilizim 4000 vjeçar dhe arrin të njëjtën sintezë… Atjoni ka ndjerë shpirtin universal, shpirtin e Zotit, me rëndësi humane.                                                       

                                                                                                           Padre Marko I. Rupnik

                                                                                                           Profesor Teolog, artist, Universiteti Gregorian. Romë.

…një xhevahir krijimtarie… Libri i Atjonit do të vendoset në sektorin e artit në bibliotekën e dikasterit e do të mbetet si dëshmi e një figure që bëri shumë për kulturën në një hark të shkurtër kohe, që na dha shenjën e gjenialitetit të tij.

                                                                      Kardinal Gianranco Ravasi

                                                                                Biblist, kritik arti.

                                                                                Ministër i Kulturës Vatikan

 

 ..Atjoni shkëlqente prej poezisë. Dhe vetë është një poezi e magjishme.

  Adonis                                                                       

Poet, Paris, Francë

 Atjon Zhiti

Bashkim duarsh

Vorbull e re

Skicat e botuara këtu janë të gjitha nga Atjon Zhiti

Comment

*