Australia dhe Zelanda e Re hyjnë në Vitin e Ri

Sidney, 31 dhjetor 2021 – Shtetet e Paqësorit, si Zelanda e Re e Australia janë ndër të parat që hynë në Vitin e Ri 2022.

Në Zelandën e Re fishekzjarrët e ndriçuan qiellin mbi qytetin më të madh, Okland, ndërkaq në Australi festa më e madhe u shënua në Sidnej.

Shumë njerëz në botë po përgatiten të përshëndeten me vitin 2021, i cili u shënua me izolime dhe valë të reja të koronavirusit.

Shteti australian deri tash e ka kontrolluar kryesisht mirë pandeminë me shifra relativisht të ulëta të vdekjeve, por javën e shkuar u shënuan shumë rasteve të reja me koronavirus pas përhapjes së shpejtë të variantit të ri Omicron.

Pas vitit 2021, kryeministri i Australisë, Scott Morrison tha se australianët megjithatë, kanë arsye për të qenë falënderues.

“Pavarësisht pandemisë, vërshimeve, zjarreve, thatësirës në disa pjesë, cikloneve e izolimit, Australia është më e fuqishme sot sesa një vit më parë. Madje jemi edhe më të sigurt”, tha kryeministri në mesazhin e tij.

Në Australi, Zelandë të Re dhe kudo në Paqësor ku tashmë u shënua festa, të gjithë qytetarët ishin të obliguar të bartin maskë.

Por, derisa Omicroni po përhapet gjithandej nëpër botë në shumë shtete në fuqi janë masat e reja kundër përhapjes së pandemisë dhe një numër i madh njerëzit festën do ta kalojnë në shtëpi.

Nata e së premtes në shumë shtete pritet të jetë e qetë pa tubime të mëdha në vende publike.

Derisa SHBA-ja dhe Britania e Madhe po raportojnë shifra rekorde të rasteve të reja me të infektuar me COVID-19, festat në qytete si Parisi, Londra apo Roma janë anuluar.

(REL)