Austria do të dhurojë një milion doza vaksinash për Ballkanin Perëndimor

Vjenë, 18 qershor 2021 – Kancelari austriak, Sebastian Kurz, tha të premten se vendi i tij do t’u dhurojë vendeve të Ballkanit Perëndimor 1 milionë doza të vaksinës kundër COVID -19.

Ai e bëri këtë zotim pas një konference me përfaqësuesit e vendeve të rajonit që aspirojnë integrimet evropiane, me të cilët ka diskutuar reformat që lidhen me anëtarësimin në Bashkimin Evropian, luftën kundër migrimit të paligjshëm dhe luftën kundër pandemisë së COVID-19.

“Si Republikë e Austrisë duam të japim një ndihmesë duke dhuruar një milion doza të vaksinës”, tha kancelari austriak, duke theksuar se dozat e vaksinave do të ndahen në periudhën nga gushti deri në fund të vitit.

Kancelari Kurz tha po ashtu se vendi i tij mbështet integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe reformat në rajon. Ai tha se Evropa s’mund të jetë e plotë pa përfshirjen e vendeve të këtij rajoni.

Javën që vjen Bashkimi Evropian do të diskutojë për hapat e mëtejmë në procesin e integrimit të vendeve të rajonit. (r.m.)