Austria intensifikon fushatën kundër emigrimit

Vjenë, 26 gusht 2022 – Austria ka nisur një fushatë për të penguar hyrjen e migrantëve të mundshëm dhe për të luftuar kontrabandën e emigrantëve.

Prej disa ditësh, ministri i Brendshëm i Partisë Popullore Austriake, ÖVP, Gerhard Karner, nuk humbet asnjë rast për të paralajmëruar se sistemi i azilit së shpejti mund të mbingarkohet. Kështu ndodhi sërish këtë javë në televizionin ORF.

“Kemi një numër rekord kërkesash për azil. Në vitin 2022 deri në fund të korrikut ishin 42 mijë. Kjo është më shumë se gjithë vitin e kaluar”, tha ai.

Prezantimi i një fushate në internet

Kjo është arsyeja pse ministria e Karnerit prezantoi një fushatë në internet. Ajo synon të pengojë azilkërkuesit e mundshëm që të nisen për në Evropë. Fushata zhvillohet kryesisht në Facebook, Instagram dhe në Google Ads në tetë vende. Fokusi është në Marok, Tunizi dhe Indi.

“Një rrotë që duhet rrotulluar gjithashtu është edhe informimi i duhur i migrantëve të mundshëm në vendet e origjinës. Në këtë fushë nuk duhet t’ia lëmë fuqinë e interpretimit kontrabandistëve. Jam i bindur se kjo është qind për qind e drejtë”.

“Nuk mund të rrish”

Në pamjet, për shembull, shihet një roje kufiri me një qen stani, duke qëndruar përballë një gardhi kufiri me tela me gjemba, me mbishkrimin poshtë “Nuk ka rrugë”. Në pamje të tjera mund të lexojmë në gjuhë të ndryshme: “Nuk mund të qëndrosh” ose “Do të dështosh”.

Judith Kohlenberger, një studiuese vjeneze e migracionit, e kritikon fushatën.

“Nuk ka asnjë provë për suksesin e fushatave të tilla informuese”, thotë ajo.

Ideja e një fushate kundër azilit nuk është vërtet e re në Austri. Një fushatë e tillë e ngjashme u prezantua në mars 2016. Një faktor i rëndësishëm janë paratë: parandalimi online këtë herë kushton 260.000 euro.

“Mendoni vetëm se me këto para, ne mund të mirëpresim shumë gra dhe vajza afgane dhe t’u garantojmë atyre qasjen në arsim këtu”, thotë Kohlenbergeri.

Kritika e partnerit të koalicionit

Studiuesit nuk janë të vetmit që e shohin fushatën me skepticizëm. Kritika vijnë edhe nga partneri i koalicionit. Për shembull nga Eva Ernst-Dziedzic, nga Të Gjelbrit.

“Ne duhet të krijojmë rrugë legale të largimit nga vendin. Edhe për këtë ranë dakord në programin e qeverisëK Të Gjelbrit dhe Partia Popullore, dhe që t’u japin njerëzve mundësinë të kërkojnë gjithashtu një vizë pune”, thotë ajo.

Evropa ka nevojë për fuqi punëtore, shpjegon deputetja e Të Gjelbërve.

“Kemi mungesë të fuqisë punëtore në Evropë. Kjo do të thotë se është më efektive të bashkëpunojmë me vendet ku njerëzit duan të shkojnë sesa të krijojmë një situatë çnjerëzore në kufijtë tanë të jashtëm dhe të nisim fushata online me një politikë parandaluese propagandistike, e cila, për mendimin tim, nuk do të arrijë shumë”, thotë Eva Ernst-Dziedzic.

Shumë njerëz që mbërrijnë në Austri vazhdojnë rrugën dhe nuk qëndrojnë fare këtu, thotë Ernst-Dziedzic. Përveç kësaj, çdo kërkesë për azil duhet të shqyrtohet, kjo është një e drejtë e njeriut.

Ministri i Brendshëm Karner përgjigjet ndaj kritikave.

“Megjithatë, ne duhet të parandalojmë njerëzit që të nisen përtej Mesdheut, duke kërcënuar se do të mbyten ose grumbullohen në kamionë dhe rrezikojnë të mbyten atje”, thotë ai.

Politikania e të Gjelbërve: Fushata online nuk është zgjidhja e duhur

Të parandalosh njerëzit të ndërmarrin një udhëtim të rrezikshëm është një qëllim legjitim, thotë politikania e të Gjelbërve, Ernst-Dziedzic. Megjithatë, fushata në internet e Ministrisë së Brendshme nuk është zgjidhja e duhur.

“Më mirë do të ishte që njerëzit të jenë në kontakt me refugjatët dhe migrantët nga vendi i tyre, të cilët u tregojnë atyre për këtë rrugë shumë shpesh kërcënuese për jetën dhe i këshillojnë që të mos e marrin atë”, thotë ajo.

Është e qartë, për çështjet e migrimit ekzistojnë dallime botësh midis konservatorëve të ÖVP dhe Të Gjelbërve.

(DW)