“Autobusi i Rilindjes” niset nëpër Shqipëri

Nga Vlora në Berat, Edi Rama ka në plan të udhëtojë në mbarë vendin deri në ditën e fitores

“Autobusi i Rilindjes” udhëtoi drejt Beratit nga bordi i të cilit Edi Rama, së bashku me kandidatët për deputetë zhvilloi një konferencë shtypi.
Kreu i PS-së deklaroi se ecuria e fushatës është më shumë sesa shumë e mirë, pavarësisht se ende nuk ka hyrë në tempin e vet më të lartë, por është me ritme të kënaqshme dhe me një impakt më të mirë nga çfarë, ekipi i marrëdhënieve me publikun në PS e kishin parashikuar për këtë fazë.
Sipas Ramës qarku Beratit merr një rëndësi të veçantë, prej të cilit Aleanca për Shqipërinë Europiane do të marrë 6 mandate. E ndërsa Rama fliste për Beratin nuk munguan pyetjet që lidhen me moskandidimin e Erjon Braçes në këtë qark, por në atë të Fierit.
“Erjon Braçe është në vijën e parë të një pjesë shumë të rëndësishëm të frontit të betejës elektorale, në qarkun e Fierit. Ku njësoj si në qarkun e Beratit, ne synojmë të marrim maksimumin dhe do të marrim maksimumin. Për këtë arsye edhe Erjon Braçe gjendet aty, krah për krah, me Gramozin, me Eglantinën, me Armando Subashin, me Ilirjan Celibashin dhe gjithë skuadrën e Fierit. Ne jemi një skuadër kombëtare, ku secili është pozicionuar aty ku e kërkojnë interesat e përbashkëta të skuadrës dhe ku kërkon qëllimi i madh i një fitoreje që do të realizohet qark për qark dhe pastaj në të gjithë Shqipërinë”, tha Rama.
Kjo është përgjigja e Edi Ramës për të gjitha ata që mendojnë se në listat e PS është shtuar numri i biznesmenëve kandidatë për deputetë: “Ka një dallim thelbësor midis atyre që i futen sipërmarrës në politikë dhe atyre që bëhen biznesmenë duke ardhur nga politika. Sipërmarrësit që janë përfshirë në listat e Partisë Socialiste qoftë në 2009, qoftë tani, nuk janë bërë biznesmenë në politikë. Ndërkohë që është kthyer qeveria e Republikës së Shqipërisë në një kompani fitimprurëse, e cila për të nxjerrë përfitime marramendëse këta zotërinj ka falimentuar Shqipërinë. PS është një forcë e deklaruar për aleancë me sipërmarrjen, për partneritet me sipërmarrësit, për hapjen e një faqe të re edhe në këtë drejtim, duke u zotuar që do t’i vëmë sipërmarrësit në piedestal. Unë i përbuz ata kundërshtarë, apo ato kritikë që tregojnë me gisht sipërmarrësit si të tregonin një sëmundje dhe e konsiderojnë mëkat përfshirjen e sipërmarrësve në jetën politike. Absolutisht jo! Përkundrazi. Koha tregoi se sipërmarrësit që u përfshinë në jetën politike të PS-së përballuan me dinjitet vite të tëra në opozitë duke përballuar goditje mafioze, kriminale nga ana e pushtetit”.
Rama u ndal edhe në çështjet që lidhen me median duke premtuar dhënien fund të privilegjeve për media të caktuara duke theksuar se Qeveria e ardhshme socialiste nuk do të ushqejë më qasjen e derdhjes së buxhetin e shtetit për të financuar media që kthehen në lehaqenj ndaj opozitës, sikurse kuk do ngacmojmë asnjë media që do jetë kritike me Qeverinë”, tha Rama.
Edi Rama prezantoi përpara qytetarëve të Beratit 9 kandidatët socialistë të përzgjedhur për garën e 23 qershorit, ku i pari në listë është Fidel Ylli. PS sjell edhe dy emra të rinj për këtë qark, Eduard Shalsin dhe Artan Lamen.
Edi Rama deklaroi se Aleanca për Shqipërinë Europiane synon fitimin e 6 mandateve, ndërsa shprehu mirënjohjen për të gjithë ato figura socialiste që kanë kontribuar për qarkun e Beratit dhe tashmë ndodhen në front të ri si Erjon Braçe, apo Marko Bello që nuk është më në listë. Rama i drejtoi disa pyetje elektroratit të djathtë beratas.
Në mënyrë që Berati dhe e gjithë Shqipëria të rilindë, tha Rama, duke mos i kërkuar demokratëve të bëhen socialistë, i nxiti ata që të ndihmojnë edhe Partinë Demokratike qe të rilindë.
“Mos e votoni këtë herë Partinë Demokratike të Saliut, në mënyrë që në opozitë ta shëroni bashkë me të tjerë, në mënyrë që t’i jepni mundësi që të bëhet forca që dikur lindi nga ëndrrat dhe shpresat e shumicës së shqiptarëve e që sot është katandisur në një parti familjare, në një vegël për pushtetin e një njeriu, në një instrument për të shfrytëzuar qeverinë e Republikës si një kompani private dhe për të grabitur pasuri mbi e nën tokë”, tha Rama.