Autoritetet paralajmërojnë përmbytje të mëdha në zonën fushore të Shkodrës

Shkodër, 18 janar 2023 – Reshjet e dendura të shiut, që kanë përfshirë gjatë dy ditëve të fundit të gjithë zonën veriore të Shqipërisë, kanë rritur me shpejtësi nivelin e ujërave në pjesën fundore të lumenjve Drin, Buna dhe Kir, duke dhënë edhe sinjalet e para të përmbytjeve në zonën e Nënshkodrës.

Autoritetet vendore të Shkodrës njoftuan në mesditë për rreth 275 hektarë tokë bujqësore të përmbytura nga dalja e lumit Buna në zonën e Oblikës dhe Muriqanit dhe për dëmtim të rrugëve malore.

Brenda 24 orëve të fundit niveli i ujit në lumin Drin është rritur me 45 centimetër ndërsa ai i liqenit të Shkodrës me 30 centimetër. Situatë e njëjtë është edhe në zonën e Lezhës nga prurjet e shumta të lumenjve Mat e Gjadër.

Për shkak të stuhisë dhe reshjeve të dendura, është dëmtuar rrjeti i shpërndarjes së energjisë elektrike në një pjesë të madhe të zonave në bashkitë Shkodër, Vau Dejës, Pukë, Fushë Arrës dhe Malësi e Madhe.

Për shkak të shtimit me shpejtësi të prurjeve nga lumi Drin, sipas shefit të urgjencave civile për qarkun e Shkodrës, Pëllumb Danit, është rritur sot edhe niveli i shkarkimeve nga hidrocentrali i Vaut të Dejës.

“Sot, nesër dhe pasnesër, sipas parashikimit, ne presim reshje të shumta. Shkarkimet nga hidrocentrali i Vaut të Dejës me gjithë agregatët në total shkojnë në 1700 metër kub në sekondë”.

Shefi i emergjencave civile për qarkun e Shkodrës, Pëllumb Dani, tha se të gjitha strukturat e urgjencave civile, në nivel vendor dhe qëndror, janë duke vëzhguar situatën dhe në gatishmëri për të ndihmuar komunitetet lokale në rast të përkeqësimit të mëtejshëm të gjendjes.

Në orët e pasdites, ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi tha se situata e deritanishme ka paraqitur probleme nga veriu në jug, por jo të përmasave shqetësuese. Megjithatë, ai paralajmëroi rrezikun e përkeqësimit të mëtejshëm të situatës gjatë ditëve në vazhdim dhe kërkoi nga strukturat vendore monitorimin e vazhdueshëm dhe njoftimin e popullatës, sidomos në zonat ku parashikohet rrezik.

“Në ditët në vazhdim deri më datën 21 janar kur pritet të jetë piku, parashikohen 250-300 milimetra shi në basenin e Vaut të Dejës dhe 150-200 milimetra shi në basenin e Fierzës. Prurjet maksimale pritet të jenë në datën 21 janar dhe bashkitë duhet të marrin masat për lajmërimin e popullatës, veçanërisht në ato zona ku parashikohet rrezik për fatkeqësi natyrore, evakuimin dhe strehimin e përkohshëm të banorëve në rast nevoje. Duhet të përgatiten për të pasur kapacitete të lira, të gatshme për çdo rast evakuimi”.

Ministri i Mbrojtes tha se nuk është rasti për panik dhe shtoi se, për menaxhimin e çdo situate si pasojë e përmbytjeve dhe fatkeqësisë natyrore, janë vënë në gatishmëri, në nivel kombëtar, forcat e armatosura me 1200 trupa dhe 450 mjete, të shpërndara nga veriu në jug të vendit, si dhe shërbimi zjarrfikës, ai i policisë dhe shërbimit shëndetësor.

Zona veriore e Shqipërisë thuajse çdo vit përballet me fatkeqësi natyrore, shkaktuar nga përmbytjet, por edhe zjarret në sipërfaqet pyjore dhe izolimi për shkak të reshjeve dëborës.

(Pëllumb Sulo, Zëri i Amerikës)

Comment

*