Avokatët e ish-krerëve të UÇK-së ia kërkojnë prokurorisë dosjen paraprake

Hagë,14 shtator 2021 – Në Dhomën e Specializuar në Hagë, të mërkurën, më 14 shtator, u mbajt konferenca e shtatë statusore ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou, tha se ai do të vendosë një datë për dorëzimin e dosjes paraprake, pasi Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk ka treguar nëse kjodosje do të jetëa  gatshme deri kah mesi i muajit tetor.

“Nuk mund të presim më”, tha Guillou,duke shtuar se datën e dorëzimit të dosjes paraprake do ta caktojë më së largu deri në konferencën e ardhshme statusore.

Dosja paraprake përmban një përmbledhje të provave për çdo akuzë, të cilat Prokurori i Specializuar synon t’i paraqesë në lidhje me kryerjen e veprës penale të pretenduar.

Avokati i Veselit, Ben Emmerson kërkoi që gjykatësi të urdhëroi ZPS-në të dorëzojë këtë dosje më së largu deri më 31 tetor, pasi ai kujtoi se ZPS-ja kishte premtuar se do ta bënte një gjë të tillë deri në mesin e tetorit.

Ndërkaq, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) njoftoi se është e gatshme që deri më 22 tetor, t’ia ofrojë mbrojtjes së ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës një listë paraprake të dëshmitarëve.

Ky fakt u mirëprit nga pala mbrojtëse, e cila edhe në konferencat e mëparshme kishte kërkuar një gjë të tillë. Megjithatë, prokuroria tha se kjo listë mund të ndryshojë dhe shtoi se ajo mëton të përdorë dëshmi të dëshmitarëve për të mbështetur aktakuzën ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Avokati i Thaçit, Gregory Kehoe tha se është shqetësuese që prokuroria ende po vazhdon hetimet dhe nuk po tregon se kur do t’i mbarojë ato. Ai tha se një gjë e tillë vështirëson hetimet e mbrojtjes.

Zyra e Prokurorit tha se që nga konferenca e fundit statusore ka nxjerrë 24 pako me materiale. Dy dëshmitarë ndërkombëtarë janë miratuar dhe janë të njohur. Ndërkaq, për tre dëshmitarë të tjerë ndërkombëtarë po vazhdon procesi i miratimit. Po ashtu, janë edhe pesë dëshmitarë, për të cilët janë bërë gati dokumentet.

Zyra e Prokurorit tha gjithashtu se për disa dëshmitarë ndërkombëtarë është kërkuar të merren masa mbrojtëse.

Prokuroria ka afat që të nxjerrë materialet deri më 27 shtator, por ajo ka kërkuar shtyrjen e afatit për përkthimin e materialeve.

Avokati i Veselit, Ben Emmerson tha se Zyrës së Prokurorit të Specializuar do t’i duhen muaj për t’i nxjerrë përkthimet e materialeve. Ai tha se në korrik ky institucion kishte thënë se do t’i nxirrte me kohë të gjitha materialet, por deri më tani mbrojtjes i janë dorëzuar vetëm 75 për qind të materialeve.

Emmerson tha gjithashtu se mbrojtja po përballet me sjellje joprofesionale të Prokurorisë, pasi Zyra e Prokurorit të Specializuar tha se nuk e di saktësisht numrin e materialeve që do të nxjerrë.

“Kemi të bëjmë me prokurori pa kredibilitet në aspektin e parashikimeve për zhvillimin e gjykimit”, tha Emmerson.

Ndërkaq,avokati i Thaçit, Gregory Kehoe, kërkoi që Prokuroria e Specializuar të ofrojë më shumë materiale shfajësuese për klientin e tij. Ai tha se në dokumentet për dëshmitarët ndërkombëtarë të ofruara nga Prokuroria nuk janë të bashkëngjitur telegrame diplomatike.

Prokuroria e pranoi se nuk pritet të ketë shumë materiale të reja shfajësuese dhe se disa materiale që i ka përdorur për dëshmitarët e saj mund të përdoren nga mbrojtja si material shfajësues. Por, ajo tha se ende nuk i ka shqyrtuar të gjitha materialet që potencialisht mund të jenë shfajësuese për të akuzuarit.

Ish-krerët e UÇK-së nuk ishin të pranishëm fizikisht në këtë seancë, por e ndoqën atë përmes video-lidhjes.

Ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit rëndojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

(r.m.)

Comment

*