Avokati i Haradinajt: Do ndjekim rrugë ligjore për diskualifikimin e dy gjyqtarëve të Speciales

Bruksel, 9 gusht 2021 – Avokati britanik, Toby Cadman, i akredituar nga Gjykata Speciale si pjesë e mbrojtjes së të akuzuarit për vepër penale të pengimit të administrimit të drejtësisë, ish-kreut të OVL-UÇK’së, Nasim Haradinaj, është shprehur i zhgënjyer me refuzimin e kërkesës për “diskualifikimin e dy gjyqtarëve të lartë” të Gjykatës Speciale, për të cilët po supozon se kanë abuzuar me autoritetin e tyre lidhur me rastin e klientit të tij.

Cadman, në një përgjigje nëpërmjet e-mailit për Gazetën Express, ka thënë se do shqyrtojnë rrugë të mëtutjeshme ligjore në përputhshmëri me Kushtetutën e Kosovës, duke rikujtuar se Dhomat e Specializuara funksionojnë nën juridiksionin e organit gjyqësor të Kosovës.

“Krejt çka mund të them në këtë fazë është se jemi të zhgënjyer me vendimin [anulimin e kërkesës së avokatit për shkarkimin e gjyqtarëve të lartë] dhe do të shqyrtojmë rrugë të mëtejshme ligjore dhe kushtetuese të Dhomave të Specializuara të Kosovës, siç e lejon organi gjyqësor i Republikës së Kosovës”, ka thënë ai në një përgjigje për Express.

Përgjigja e tij vjen pas artikullit të mediumit ‘The Telegraph’, në të cilin raportohet se avokatët britanikë të akredituar në Hagë kanë kërkuar shkarkimin e Kryetares së Gjyqtarëve, Ekterina Trendafilova, si dhe Charles L. Smith, nënkryetari i Dhomave të Specializuara.

“Krejt çka kërkojmë është që klienti ynë të marrë një gjykim të drejtë nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme e krijuar me ligj”, ka deklaruar Cadman për prestigjiozen britanike.

Sipas të përditshmes, britanike njëri nga gjyqtarët njoftoi diplomatët europianë mbi rastin e Haradinajt, duke cenuar pavarësinë dhe vendimmarrjen e paanshme gjyqësore.

Ndërkaq, për gjyqtarin e dytë të akuzuar për tejkalim kompetencash avokatët britanikë po pretendojnë se ka komprometuar pavarësinë e tij duke ushtruar presion politik mbi gjyqtarët e tjerë dhe duke sugjeruar se Brukseli po i bën presion për dënime mbi krimet e supozuara të luftës në Kosovë.

Gjykata Speciale, javë më parë, ka caktuar seancat e radhës ndaj dy zyrtarëve të OVL të UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj. Sipas njoftimit, seancat gjyqësore të tyre do të mbahen më 1 dhe 2 shtator 2021.

(Gazeta Express)