Avokati i Mediut: Hapja e Gërdecit përbën pavlefshmëri absolute

Deklarata nga Ardian Visha, avokati i ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu pas vendimit nga Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar që lejoi SPAK-un ta gjykojë (Mediun) lidhur me shpërthimin e ndodhur 13 vite me parë në një depo ushtarake në Gërdec

Në cilësinë e përfaqësuesit ligjor të z.Fatmir Mediu shpreh sa më poshtë:

Vendimi i deklaruar në media nga Gjyqtarja e Apelit të Posaçëm, përbën një akt jo Kushtetues dhe pluri-shkelës të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe një sërë ligjesh të tjera të vendit.

Ai (vendimi) përbën një pavlefshmëri absolute e në çdo rast baza motivuese e tij nuk mund të jetë kurrë ligji.

është hera e parë në jurisprudencë kur një gjyqtare e një gjykate të nivelit më të ulët prish vendimin e Gjykatës së Lartë!

Veç të tjerave shkelja e ligjit është e dukshme, sepse e njejta çështje (kërkesë) është shqyrtuar dhe hedhur poshtë nga Gjykata e Shkallës së Parë dhe Gjykata e Apelit, Tiranë në vitin 2019.

Ky vendim hapur cenon parimin e sigurisë juridike, parimin e gjësë së gjykuar, parimin e ligjit favorizues dhe për më tepër synon procedimin për një akuzë, afati parashkrues i së cilës ka kaluar me kohë.

Pasi të njihemi me “arsyetimin” e këtij akti të paligjshëm, do të reagojmë me transparencë e me të gjitha mjetet ligjore të përshtatshme.

Avokat Ardian Visha