Babai im është bërë nënshtetas amerikan. A jam edhe unë nënshtetas tani?

Avokati Kieran Both

Çështje të Emigracionit: Për ju Avokati Kieran Both

 

Jam 17 vjeç dhe kam marrë green card nëpërmjet babait. Tani babai ka marrë pasaportë amerikane. Prindërit janë divorcuar dhe që atëherë unë jetoj me babain. Nëna u largua nga SHBA-ja. A kualifikohem për t’u bërë nënshtetas? Çfarë do të më duhet të bëj që të marr pasaportën amerikane?

CG

Brooklyn, NY  

Mund të ishit bërë automatikisht nënshtetas amerikan nëse do t’i kishit përmbushur disa kushte. Mund të dërgoni aplikimin për çertifikatën e nënshtetësisë (formulari N-600) për të marrë dëshminë e nënshtetësisë nëse pas lindjes dhe përpara se të mbushnit moshën 18 vjeç me ligj jeni bërë automatikisht nënshtetas amerikan. Prindi ose kujdestari juaj mund të paraqesin formularin N-600 në emër të fëmijës së mitur. 

Fakti që prindërit tuaj janë të divorcuar nuk luan asnjë rol në mundësinë që keni për të bërë kërkesë për çertifikatë nënshtetësie sa kohë që nënshtetësinë e keni marrë automatikisht përpara se të divorcoheshin prindërit. Megjithatë, nëse divorcimi i prindërve ka ndodhur përpara se të merrnit nënshtetësinë amerikane si dhe po kërkoni nënshtetësinë pas lindjes, zakonisht nevojitet që të tregoni që përpara moshës 18 vjeçare keni qenë nën kujdestarinë ligjore dhe fizike të prindit që është nënshtetas amerikan pasi ishit bërë rezident i ligjshëm dhe i përhershëm. Nëse prindi që është nënshtetas amerikan nuk është prindi që ju ka nën kujdestari ligjore dhe fizike, atëherë mund të mos jeni në gjendje të bëheni automatikisht nënshtetas amerikan. 

Departamenti i Shtetit më ka dhënë pasaportën amerikane. Do të më duhet të paraqes formularin N-600 për çertifikatë nënshtetësie?   

BD

Short Hills, NJ

Jo.  Nuk do t’ju kërkojë askush të paraqisni një formular N-600 për çertifikatë nënshtetësie. Çertifikata e nënshtetësisë është një formular fakultativ. Një pasaportë amerikane e lëshuar në përputhje me të gjitha rregullat shërben si dëshmi e nënshtetësisë suaj deri në momentin që i mbaron afati. Megjithatë, mund t’ju kërkohet të paraqisni çertifikatën e nënshtetësisë kur të përpiqeni të bëni kërkesë për përfitime të ndryshme si ato të sigurimeve shoqërore; patentë shoferi; ndihmë financiare; punësim; rinovim të pasaportës.

Prindërit e mi erdhën në SHBA shumë vite më parë dhe unë vetë kam lindur në SHBA. Tani jam 27 vjeç. Prindërit nuk morën asnjëherë pasaportë amerikane dhe nuk u bënë nënshtetas, sepse nuk janë në gjendje të flasin anglisht. Kam frikë se Departamenti i Sigurisë Kombëtare do të më pyesë pse prindërit e mi nuk kanë dokumenta. Më ka humbur çertifikata e lindjes. A mund të aplikoj për çertifikatë nënshtetësie që t’ia paraqes policisë?

Anonim

Bronx, NY

USCIS-i (Shërbimi i Nënshtetësisë dhe i Emigracionit të SHBA-së) nuk lëshon çertifikata nënshtetësie në rastet kur personi bëhet nënshtetas bazuar në faktin që ka lindur në SHBA. USCIS-i u lëshon çertifikata nënshtetësie atyre personave që kanë lindur jashtë shtetit, por e kanë marrë nënshtetësinë që në lindje nëpërmjet prindërve, ose atyre personave që janë bërë nënshtetas pas lindjes por përpara se të mbushnin moshën 18 vjeç. Mund të përdorni çertifikatën e lindjes për të bërë kërkesë për pasaportë amerikane. Në New York, mund të aplikoni për duplikatë të çertifikatës së lindjes duke marrë në numrin 1-877-854-4481 ose me postë në adresën:

New York State Department of Health

Vital Records Certification Unit

P.O. Box 2602

Albany, NY 12220-2602

Aplikimet mund të paraqiten ose me patentë shoferi; me dokument identifikimi me fotografi të lëshuar nga shteti përkatës ose me dokument identifikimi me fotografi të lëshuar nga ushtria amerikane. Aplikimi duhet të përmbajë gjithashtu dhe dy nga dokumentat që vijojnë:  Faturat e telefonit apo fatura të shërbimeve të tjera; letër nga një agjenci qeveritare e lëshuar brenda gjashtë muajve të fundit. Shumica e shteteve kanë proçedura të ngjashme për marrjen e duplikatës së çertifikatës së lindjes. 

Prindi im me nënshtetësi amerikane ka vdekur. A luan diçka e tillë rol në mundësinë që kam për të marrë çertifikatë nënshtetësie?

NR

Jo.  Fakti që prindi juaj ka vdekur nuk ndikon në mundësinë tuaj për të aplikuar për çertifikatë nënshtetësie në rast se nënshtetësinë e keni marrë automatikisht qoftë kur lindët apo pasi lindët, por gjithnjë përpara vdekjes së prindit. Megjithatë, nëse nuk e keni marrë automatikisht nënshtetësinë përpara se t’ju vdiste prindi, vdekja e prindit mund të ndikojë në mundësinë tuaj për të aplikuar për çertificatë me përjashtim të rastit kur i përmbushni kriteret e seksionit 322 të ligjeve të emigracionit (INA). Vlen të theksohet që seksioni 322 i ligjeve të emigracionit nuk parashikon që do të merrni nënshtetësi automatikisht, por lejon natyralizimin përpara moshës 18 vjeç si dhe ju lejon që të gjeni mbështetje në praninë fizike të gjyshërve tuaj në vend të asaj të prindërve tuaj. 

Nuk banoj aktualisht në SHBA. A kualifikohem për çertifikatë nënshtetësie?

GL

Tiranë, Shqipëri

Personat që marrin nënshtetësinë amerikane dhe që banojnë jashtë shtetit duhet të kërkojnë dëshmi nënshtetësie nëpërmjet aplikimit për pasaportë pranë Departamentit të Shtetit. Në shumicën e rasteve, personi duhet të banojë në SHBA që të mund të aplikojë për çertifikatë nënshtetësie.

Gjithashtu, mund të gjeni më shumë informacion në faqen e internetit të USCIS-it në adresën www.uscis.gov  në faqen e internetit të Departamentit të Shtetit në adresën  www.travel.state.gov/

Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynё ёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është kieranboth@verizon.net

Comment

*