Baerbock paralajmëron Rusinë: Gjermania do të mbrojë vlerat, pavarësisht kostos ekonomike

Moskë, 18 janar 2022 – Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, tha se, në rast të një konflikti mes Rusisë dhe Ukrainës, vendi i saj është gati të mbrojë vlerat themelore, edhe nëse për këtë duhet të paguajë një çmim të lartë ekonomik.

Baerbock i bëri këto komente pas takimit që e pati sot me homologun e saj rus Sergei Lavrov në Moskë.

“Nuk kemi opsion tjetër, veç mbrojtjes së vlerave të përbashkëta, edhe nëse kjo ka një çmim të lartë ekonomik. Gjermania e ka përsëritur qëndrimin se në rast se energjia përdoret si armë, kjo do të ketë pasoja për gazjsellësin Nord Stream 2”, tha zonja Baerbock, në një konferencë të përbashkët shtypi me homologun e saj rus.

Ajo tha se Berlini është gati për bisedime serioze me Rusinë për të përmirësuar situatën e sigurisë në gjithë Evropën.

Ministrja Baerbock tha se grumbullimi i më shumë se 100 mijë trupave ruse pranë kufirit me Ukrainën “pa një arsye të kuptueshme” është shqetësuese dhe “e vështirë që të mos shihet si një kërcënim”, prandaj ajo u bëri thirrjeve palëve që të diskutojnë në formatin e Normandisë.

Ndërkaq, Lavrov tha se politizimi i tubacionit të gazit natyror “Nord Stream 2”, për të cilin Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar se mund të jetë pjesë e sanksioneve nëse Rusia e pushton Ukrainën, është kundërproduktiv.

“Ne shpjeguam se nuk mund të pranojmë asnjë kërkesë lidhur me veprimet e forcave tona të armatosura në tokën tonë”, tha zoti Lavrov dhe shtoi se Rusia nuk po e kërcënon askënd me asgjë.

Sipas tij, janë të tjerët ata që po e kërcënojnë Rusinë.

Lavrov ritheksoi se këtë javë Rusia pret një përgjigje me shkrim nga SHBA dhe aleatët e saj lidhur me kërkesën e Moskës për garanci se NATO nuk do të zgjerohet përmes anëtarësimit të Ukrainës ose vendeve të tjera ish-sovjetike dhe se nuk do të vendosë forcat dhe armët e saj në atë zonë.

Javën e kaluar, në takimin SHBA-Rusi në Gjenevë dhe në takimin NATO-Rusi në Bruksel, Uashingtoni dhe aleatët e tij i kundërshtuan kërkesat e Moskës.

Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi se Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, do të takohet me ministren e Jashtme gjermane në Berlin, pas takimit që do të ketë të mërkurën në Kiev me Presidentit e Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, dhe me ministrin e Jashtën Dmytro Kuleba.

Në njoftim thuhet se zoti Blinken do të diskutojë për përpjekjet e përbashkëta për të penguar agresionin e mëtejshëm të Rusisë kundër Ukrainës, duke përfshirë gatishmërinë e aleatëve dhe partnerëve për të vendosur sanksione masive me kosto të rënda ekonomike ndaj Rusisë.

(r.m.)

Comment

*