Balla: Çfarë mund të lëshojë PS për votat e Bashës për vetingun, jo pazar

Mazhoranca mendon se komisioneve të vettingut i duhet edhe një mandat 2 vjeçar për të përmbyllur procesin.

Balla: Në vlerësimin tim do të duhen edhe jo më shumë se dy vite por ky është një vlerësim që do ta bëjnë ekspertët. Ajo që kemi diskutuar me kryetarët e komisioneve në fillim të javës është që duke qenë se ndryshimet në Kushtetutë kërkojnë rreth dy muaj nga momenti i depozitimit deri në miratim, të marrim kohën e nevojshme për ti draftuar. Ekspertët ligjorë na kanë rekomanduar që këto ndryshime janë vetëm kushtetuese. Nuk ka hapësirë tjetër për të bërë ndryshime që do të prekin ligjet që burojnë nga ai parashikim kushtetues.

Ofertën politike për Lulzim Bashënnë këmbim të votave për ndryshimet kushtetuese që kërkohen nuk e ka ende, por kreu i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla thotë se kjo duhet të burojë nga nevoja e një ndryshimi kursi nga ana e PD në lidhje me reformën në drejtësi dhe jo si pjesë e një pazari: Më jep, të të jap.

Balla: Unë besoj që tashmë jo vetëm ne që kemi qenë mbështetësit kryesorë të çuarjes përpara të reformës në drejtësi, por edhe me rastet e djeshme dhe të pardjeshme e në vijim do të tregojnë që ne kemi bërë mirë si Shqipëri që kemi marrë këtë hap të rëndësishëm me reformën në drejtësi dhe mendoj që edhe PD ditë pas dite do të bindet edhe me ato që do të vijnë që reforma në drejtësi duhet të shkojë përpara.Vota që PD duhet të japë përmes grupit të saj parlamentar në mbështetje të këtyre ndryshimeve kushtetuese duhet të burojë nga nevoja e një ndryshimi kursi nga ana e PD në lidhje me reformën në drejtësi dhe jo si pjesë e një pazari më jep, të të jap. Ajo që kryeministri Rama tha në seancën e fundit para se të votonim programin dhe përbërjen e këshillit të ministrave është e thënë shumë qartë, dora jonë do të vazhdojë të jetë e shtrirë, gatishmëria ime si kreu i grupit parlamentar për të komunikuar me grupin parlamentar të PD është që le të ulemi. Sot në Konferencën e Kryetarëve kemi rënë dakord me Rushaj, me opozitën që të vazhdojmë punën për disa ndryshime në rregulloren e Kuvendit për të lehtësuar punën e komisioneve. 8 komisione janë shumë pak, mund të shkojnë në 12 komisione të përhershme do ulte numrin e anëtarëve në komisione dhe do të bënte punën më efektive.

Balla tha se zgjatja e mandatit të komisioneve të vettingut ka qenë kërkesë edhe misioneve ligjzbatuese të partnerëve ndërkombëtarë që monitorojnë reformën.

Balla: Është një diskutim në kuvend prej më shumë se një viti, ka qenë rekomandim dhe i atyre që monitorojnë reformën në drejtësi, partnerëve të Shqipërisë, EURALIUS dhe OPDAT. Ka pasur dhe një vlerësim nga Komisioni i Venecias në fillim të kësaj vere në lidhje me nevojën e ruajtjes së barazisë në një proces të gjithë magjistratëve që kalojnë në procesin e  vlerësimit, vetting. Është rekomanduar që ashtu si janë vetuar rreth 400 e ca gjyqtarë e prokurorë, edhe pjesa e mbetur të shkojë përmes të njëjtit proces vlerësimi.

Nga ana tjetër Partia Demokratike kërkon ndryshim të reformës territoriale. Balla thotë se PS nuk ka asnjë tabu dhe asnjë kusht por të gjitha këto do të mund të marrin zgjidhje vetëm nëse PD ulet në tryezë.

Balla: Kur kemi bërë reformën territoriale nuk kam qenë dakord me 61 bashki, isha për më pak, opozita kërkon më shumë. Këto diskutime nuk bëhen përmes mikrofonëve tuaj por në një tryezë. Kemi rënë dakord të ulemi për rregulloren e Kuvendit, bujrum të ulemi dhe për çështjet e tjera nëse duam të kemi një ekip negociimi për të gjitha apo disa ekipe negociimi për secilën çështje. Asnjë çështje nuk është tabu për tu diskutuar, të gjitha janë çështje që meritojnë diskutim. Të mos humbim kohë sepse janë çështje që kërkojnë shumë kohë edhe pas dakordësisë, duan kohë të shkruhen dhe procedure parlamentare për tu sanksionuar qoftë në Kushtetutë, qoftë në ligje të tjera. Nuk kemi asnjë kusht për tu ulur në tryezë, pa  kushte. E njëjta gjë duhet të vlejë edhe për palën tjetër. Kur ulesh për një marrëveshje palët heqin kushtet dhe ulen mbi bazën e parimeve.OraNews