“Ballkani i Hapur”: Liderët e vendeve pjesëmarëse e vlerësojnë si domosdoshmëri të kohës

Ohër, 8 qershor 2022 – Në Ohër të Maqedonisë së Veriut të mërkurën filloi pjesa zyrtare e takimit të radhës të nismës rajonale “Ballkani i Hapur”.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, në hapje të takimit, ka thënë se “Ballkani i Hapur” tashmë ka nisur t’i japë rezultatet e para.

“Koha e sfidave të mëdha që kërkon vendime të guximshme, për stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit, për një jetë më të mirë, për evropianizimin e rajonit. Janë hapur korsitë në Tabanoc, mes Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë dhe Qafë Thanë, mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, [Ballkani i Hapur] po jep rezultate në lëvizjen e lirë të mallrave, deri në heqjen e përfundimtare të barrierave”, ka thënë Kovaçevski.

Tutje, ai ka theksuar se qëllimi i nismës është integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe bashkëpunimi për të forcuar stabilitetin.

“Qëllimi ynë është i qartë, Ballkani duhet të jetë pjesë e BE-së. Lufta në Ukrainë krijon mundësi për ndikim të vendeve të treta andaj duhet të bashkëpunojmë për forcimin e stabilitetit… Me rëndësi është që BE-ja të pranojë se zgjerimi i saj është interes strategjik,. Vizioni ynë për Ballkanin është integrimi në BE. Kërkojmë që BE-ja ta pranojë mundin tonë dhe rajoni të bëhet pjesë e BE-së”, ka deklaruar Kovaçevski.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se nisma e “Ballkanit të Hapur” synon lidhjen mes njerëzve dhe zgjidhjen e problemeve dhe se mbetet i hapur për të gjitha shtetet.

“Nuk do të thotë që të gjithë ta mbështesin këtë nismë, por është me rëndësi që kjo po merr mbështetje gjithnjë e më shumë. Të gjitha kërkesat për t’iu bashkuar nismës janë të mirëseardhura…Nga ne varet se si do të jetojmë me fqinjët, se a do t’i ndihmojmë njëri-tjetrit apo nëse do të jemi të gatshëm ta ndihmojmë njëri-tjetrin. Kam dëshirë dhe vullnet të bëjmë punë të mira”, ka thënë Vuçiq.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka  thënë se lufta në Ukrainë e bën “Ballkanin e Hapur” një domosdoshmëri edhe më të madhe.

“Që kur nisi lufta në Ukrainë, unë i kam ditur edhe raportet mes Serbisë dhe Kosovës apo Serbisë dhe Rusisë, por sot jemi këtu sepse duam të vazhdojmë drejt së ardhmes por pa i mbyllur sytë se kemi probleme të pazgjidhura”, ka thënë Rama.

“‘Ballkani i Hapur’ nuk është i Serbisë siç dëgjojmë këtyre ditëve, por i të gjithë njerëzve që jetojnë këtu, është i fermerëve shqiptarë, sa më shumë të afrohemi aq më shumë zgjidhim problemet dhe armiqësitë, aq më shumë kemi mundësi të zgjidhim edhe problemin mes Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë ai, duke theksuar nevojën për më shumë afërsi dhe komunikim që “njerëzit ta kuptojnë se e ardhmja është më e rëndësishme se sa e shkuara”.

Ndërkaq, kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka thënë se shtetet e rajonit duhet t’i lënë pas politikat e konfrontimeve dhe të shohin drejt së ardhmes. Ai ka thënë se Mali i Zi do t’i mbështesë të gjitha nismat që kanë për qëllim zhvillimin e rajonit.

“Të kaluarën nuk mund të ndryshojmë, vetëm të ardhmen mund ta ndryshojmë. Çdo gjë që ka për qëllim pajtimin do ta ketë mbështetjen tonë. Dialogu rrit besimin mes nesh dhe të mos frikësohemi prej njëri-tjetrit. Shpresoj se radhën tjetër do të jemi bashkë të gjitha gjashtë shtete, pavarësisht skepticizmin që mund të kemi”, ka deklaruar Abazoviq.

Kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnje e Hercegovinës, Zoran Tageltija, ka thënë se beson që shumica e popullsisë së Bosnjës e mbështet nismën “Ballkani i Hapur”.

“Bosnja, formalisht nuk është anëtare e nismës, por shpresoj të jem i fundit këtu në cilësinë e vëzhguesit, apo çdokush tjetër që vjen këtu të flasë në cilësinë e anëtarit të nismës së ‘Ballkanit të Hapur’. Për fat të keq në Bosnje nuk ka konsensus për këtë nismë. Nuk ka përgjigje serioze se për çfarë nuk mbështetet, sikur që nuk ka përgjigje negative. Mendoj se arsyet janë pjesë e paragjykimeve nga e kaluara dhe për atë se kush është propozues, a është alternativë e BE-së. Janë edhe arsyet e ndikimeve politike pasi pretendojnë se do të pësojmë politikisht nëse pranohen këto nisma”, ka thënë Tageltija.

Ai ka treguar edhe për mëdyshjet që ka pasur pasi që i ishte dërguar ftesa për pjesëmarrje.

“Kur mora ftesën nuk dija çfarë të vendosja. Në mediat në Bosnjë kundërshtarët e ‘Ballkanit të Hapur’ pyesin se çfarë kërkoj unë në Ohër. Jam këtu pasi e di se numri më i madh i popullatës në Bosnjë e mbështet këtë projekt. Jam këtu pasi përfaqësuesit e Bosnjës kanë marrë pjesë në të gjitha bisedimet teknike që udhëhiqen në kuadër të ‘Ballkanit të Hapur’. Dhe jemi të gatshëm të nënshkruajmë dhe të pranojmë të gjitha marrëveshjet e ‘Ballkanit të Hapur’ në momentin kur do të merret vendimi politik”, ka thënë Tageltija.

I dërguari i Posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili u është drejtuar pjesëmarrësve të takimit përmes një videolidhje i ka dhënë  mbështetje nismës “Ballkani i Hapur”.

“Do të shfrytëzojmë çdo mundësi për të stabilizuar Ballkanin. SHBA-ja nuk e sheh Ballkanin si një pikë e problemeve nga e kaluara, por në prizmin e së ardhmes. SHBA-ja e përkrah nismën ‘Ballkani i Hapur’ sikur edhe të gjitha nismat tjera që promovojnë paqe dhe stabilitet në Ballkanin Perëndimor dhe nëse ka sukses duhet të mbështeten nga të gjithë, të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor”, ka deklaruar Escobar.

Komisionari për Zgjerim dhe Fqinjësi të Mirë i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, ka thënë se edhe Brukseli e mbështet nismën, duke e cilësuar si mundësi që t’i ndryshojë sfidat me të cilat është përballur rajoni, por edhe si mundësi për përshpejtimin e integrimit evropian të rajonit.

“Pjesëmarrjen time e shoh si ftesë që BE-ja të jetë pjesë e procesit. Nisma ‘Ballkani i Hapur’ nuk është vetëm e mirë, të gjithë e mbështesin, por është edhe si mundësi që rajoni ta ndryshojë realitetin dhe t’i ndryshojë sfidat, me të cilat po përballet qe shumë vjet, për të mos thënë dekada”.

“Mund të jetë edhe si mundësi për përjashtimin e rrugës drejt BE-së. Vlerësoj, nëse punën e bëjmë mirë, do të përshpejtohet integrimi ekonomik i rajonit por edhe integrimin real i rajonit në BE”, ka deklaruar Varhelyi.

Liderët e Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut thonë se në kuadër tënismës “Ballkani i Hapur” i kanë arritur një sërë marrëveshjesh që, siç kanë thënë, kanë për qëllim përmirësimin e bashkëpunimit rajonal.

(Sipas REL)