“Ballkani i Hapur”: Thirrje Kosovës, Bosnjës e Malit të Zi të bëhen pjesë e nismës

Beograd, 4 nëntor 2021 – Kryeministri shqiptar Edi Rama dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, thanë të enjten në Beograd se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të zgjidhen në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, por kjo nuk duhet të jetë pengesë për përfshirjen e Kosovës në nismën Ballkani i Hapur.

Ata i bënë këto komente në përfundim të takimit të nismës për Ballkanin e Hapur që është hedhur nga Shqipëria, Serbia e Maqedonia, duke bërë thirrje që asaj t’i bashkohen Kosova, Bosnja dhe Mali i Zi.

Në takimin ku mori pjesë zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Nikola Dimitrov, është rënë dakord që të përshpejtohet zbatimi i marrëveshjeve të arritura në kuadër të kësaj nisme.

Presidenti serb, tha se do të formohet një këshill i zbatimit të marrëveshjeve, ndërsa paralajmëroi se takimi i radhës do të mbahet në Tiranë pas krishtlindjeve, ku pritet nënshkrimi i marrëveshjes për lejet e punës në të tri vendet anëtare të nismës.

Kryeministri shqiptar Edi Rama, presidenti serb, Aleksandër Vuçiç dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, hodhën në tetor të vitit 2019 nismën me emrin “mini-shëngeni” Ballkanik, ndërsa në korrik të këtij viti i ndryshuan emrin në “Ballkani i Hapur”, një nismë për siç është thënë, vendosjen e lëvizjes së lirë për njerëzit, mallrat e shërbimet ndërmjet vendeve të rajonit.

As ndryshimi i emrit, nuk e ndryshoi qëndrimin e qeverisë së Kosovës e cila nuk pajtohet me nismat që mund të duken si zëvendësim i proceseve integruese evropiane.

Presidenti serb tha se nisma është e hapur për të gjithë dhe dyert janë të hapura për Prishtinës, Podgoricën dhe Sarajevën.

“Marrëdhëniet tona me Prishtinën do t’i zgjidhim me dialog, pasi kemi qëndrime të ndryshme, por Ballkani i Hapur është diçka tjetër. Kushdo që është i interesuar është i mirëpritur”, tha ai.

“Çështja e mosdakordësisë ka dialogun e vet, ka rrugën e vet. Ama një gjë duhet ta dini, nëse të gjashtë vendet marrin pjesë, atëherë edhe për Kosovën edhe për Bosnjën do të jetë shumë më e mirë atmosfera për të trajtuar edhe çështjet tjera”, tha kryeministri Rama.

“As Shqipëria, as Serbia, as Maqedonia e Veriut që kanë vendosur të ecin më shpejtë, nuk do presin që të binden të gjithë të tjerët. Arsyet pse të tjerët janë skeptikë, ose refuzues ndaj Ballkanit të Hapur, i kam dëgjuar. I kam dëgjuar edhe arsyet e Malit të Zi, i kam dëgjuar edhe arsyet e Bosnjës, i kam dëgjuar me shumë vëmendje edhe arsyet e Kosovës dhe më vjen shumë keq, por i konsideroj arsye të mosarsyes”, tha kryeministri Rama.

Nisma ndërkaq është mbështetur nga diplomatët perëndimorë. Ditë më parë gjatë një dëgjimi në Kongres, zv/ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën Jugore dhe Qendrore, Gabriel Escobar, tha se Shtetet e Bashkuara mbështesin të gjitha nismat që afrojnë vendet ekonomikisht.

“Udhëheqësit e tre vendeve (Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut) që e kanë hedhur nismën për Ballkanin e Hapur, na kanë siguruar se është e hapur për të gjitha gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe ne u besojmë. Në fakt nuk mund të ketë sukses pa tre vendet tjera”, tha ai.

Ai shtoi se kjo nismë është e ngjashme më atë që nën procesin e Berlinit njihet si tregu i përbashkët rajonal, dhe një treg i tillë do të ishte shumë tërheqës për kompanitë amerikane.

(Zëri i Amerikës)

One Response to ““Ballkani i Hapur”: Thirrje Kosovës, Bosnjës e Malit të Zi të bëhen pjesë e nismës”

Read below or add a comment...

  1. Thanas L. Gjika says:

    Akoma nuk e kanë të qartë zotërinjtë Aleksandër Vuçiç dhe Edi Rama se pa njohjen e Kosovës shtet të pavarur prej Serbisë nuk mund të bëjë Serbia asnjë hap drejt Bashkimit Europian dhe se nisma “Ballkan i Hapur” nuk ka vlerë në krahasim me proceset e Berlinit. Eshtë e kuptueshme pse Z. Vuçiç, si shërbëtor i Rusisë, ngul këmbë për këtë projekt, po nuk kuptohet pse Z. Edi Rama i shkon pas. Mos dhe ky e pret shpëtimin nga Rusia?!