Basha: Berisha po kërkon ta lidhë vendimin për shpalljen ‘non grata’ me fatin e PD-së

Tiranë, 18 tetor 2021 – “Kam shprehur disa herë dhe shpreh përsëri keqardhjen time për shpalljen non-grata të Sali Berishës. I kam mbështetur dhe i mbështes përpjekjet e tij për transparencë e drejtësi”.

Kështu ka deklaruar kryetari i PD-së, Lulzim Basha, sot, në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, e cila u zhvillua me dyer të mbyllura.

BalkanWeb e ka zbardhur të plotë fjalën e Bashës nëtakim me deputetët e PD-së, ku nuk kanë munguar debatet për çështjen ‘Berisha’.

Sipas Bashës, plani i Berishës është shndërrimi i Partisë Demokratike në një bunker antiamerikan për interesin e tij.

“Kam shprehur disa herë dhe shpreh përsëri keqardhjen time për shpalljen non gratta të Sali Berishës. I kam mbështetur dhe i mbështes përpjekjet e tij për trasparencë e drejtësi. Për fat të keq, ai po kërkon ta lidhë shpalljen e tij ‘non grata’ me fatin e Partisë Demokratike. Në një anë ai po thotë nuk do ta votojmë vendimin e qeverisë amerikane për shpalljen e tij ‘non gratta’. Nga ana tjetër po kërkon të votojë vendimin e Lulzim Bashës që është marrë në respekt të vendimit të SHBA-së. 

A nuk nuk është e njëjta gjë në aspektin e pasojave politike për PD-në?

Përtej tymnajave, plani i tij, nëse do të flitej për një plan, është shndërrimi i Partisë Demokratike në një bunker antiamerikan për interesin e tij. Kjo është pa asnjë perpektivë, qoftë për PD-në qoftë për vetë Berishën. Dhe askush me një fije përgjegjësie ndaj sakrificës së demokratëve, duke nisur nga unë i pari, nuk mund dhe nuk do ta pranojmë këtë.”, tha Basha në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së.

(r.m.)