Basha: Duhet guxim për të drejtuar gishtin ndaj atyre që gërryejnë demokracinë, sundimin e ligjit dhe lirinë e medias

Tiranë, 5 tetor, 2021 – Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar sërish pas takimit të zhvilluar në Samitin e EPP-së për Ballkanin Perëndimor.

Basha shprehet se Samiti i Ballkanit Perëndimor do të adresojë pengesat në udhëtimin drejt Europës.

Kryedemokrati Basha, thekson se Ballkani është kthyer jo vetëm në një arenë përplasjesh gjeostrategjike, por edhe kryqëzimin i  rrugëve të trafikantëve të cilët sipas tij nxiten nga autokratët e Ballkanit që për pushtetin e tyre përdorin krimin.

Më tej Basha thotë se duhet guxim për të drejtuar gishtin ndaj autorëve që gërryejnë demokracinë, duke shtuar se rajoni ka nevojë për mbështetje për sundimin e ligjit dhe më shumë ndihmë në luftën kundër korrupsionit .

“Ne presim nga ky Samit i Ballkanit Perëndimor të adresojë pengesat në udhëtimin tonë drejt Europës.

Përveç arenë përplasjesh gjeostrategjike, Ballkani është kthyer edhe në kryqëzimin e rrugëve të trafikantëve e kriminelëve, të cilat nxiten dhe lehtësohen nga autokratët e Ballkanit, që për pushtetin e tyre përdorin krimin e më pas e ndajnë pushtetin me ta.

Për shumë vite është kërkuar stabiliteti në dëm të demokracisë, duke korrur si rezultat bjerrjen e të dyjave.

Mjafton të shihni raportin e ODIHR, 5 rekomandimet prioritare, nëse hiqni emrin e Shqipërisë, do të mendoni se është raporti i zgjedhjeve i Bjellorusisë së Lukashenkos. Po ju përmend vetëm një frazë, “Shteti duhet të garantojë lirinë dhe fshehtësinë e votës”.  Lirinë dhe fshehtësinë e votës?! Në 2021, në Shqipëri, një vend anëtar i NATOS-s, kandidat për në BE që pret Konferncën e Parë Ndërqeveritare…

Ndaj në këtë proces, sinqeriteti dhe guximi janë thelbësorë.

Guxim për të drejtuar gishtin ndaj veprimeve dhe autorëve që gërryejnë demokracinë, sundimin e ligjit dhe lirinë e medias. Duke mbajtur qëndrim, për të mos pranuar për vendet tona, gjëra që nuk do t’i pranonit kurrë për zgjedhësit tuaj.

Për këtë, unë besoj se rajoni ynë ka nevojë për më shumë mbështetje për sundimin e ligjit, më shumë ndihmë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, më shumë mbështetje për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Vetëm në këtë mënyrë ne mund të krijojmë, së bashku, më shumë mundësi për të rinjtë tanë dhe qytetarët tanë, dhe të bëhemi udhëheqës të vërtetë për shpresat dhe aspiratat e tyre dhe jo shfrytëzues të frikës dhe anktheve të tyre”, tha Basha.

(BalkanWeb)

Comment

*