Basha e shpërfill referendumin e Berishës: PD sot e ka pasur vetëm një aktivitet, Kuvendin Kombëtar

Tiranë, 18 dhjetor 2021 – Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, e shpërfilli refrendumin për shkarkimin e tij nga pozita e kryetarit të partisë, i cili u organizua të shtunën, më 18 dhjetor, nga ish-kryeministri Sali Berisha e mbështetësit e tij.

Ai e shpërfillimi edhe Komitetin e Rithemelimit të PD-së që u krijua në Kuvendin Kombëtar të partisë të ftuar nga Berisha e mbështetësit e tij, të shtunën e kaluar, më 11 dhjetor.

“Nuk ka referendum, nuk ka Komitet Rithemelimi. Ka një PD dhe një Kuvend Kombëtar që sapo i mori vendimet e tij”, tha Basha.

Ai u bëri thirrje mbështetësve të Berishës që të respektojnë vendimet e Kuvendit Kombëtar që u mbajt sot.

“Unë e di që ka disa anëtar të PD-së, të cilëveju bëj thirrje që t’u bashkohen vendimeve të institucioneve të PD-së që janë zgjedhur me votën e anëtarëve të PD-së”, tha ai.

Basha në mënyrë indirekte e akuzoi Berishën se po përpiqet të përsërisë historinë e zgjedhjeve të vitit 1996.

“Ka njerëz që nuk nxjerrin mësim nga historia. 96-ta është një njollë turpi në historinë e PD-së për të cilën u kërkojmë falje shqiptarëve. Nuk mund të ketë më përsëritje”,  theksoi  ai.

“Mund të kishim qenë vendi i parë nga të gjithë vendet lindore që mund të ishim anëtarësuar në BE. Përgjegjësi për këtë kanë ata që për interesat e tyre, interesin e tij personal, Sali Berisha president i asaj kohe pranoi një standard zgjedhor të papranueshëm. E sotmja tregoi qartë vullnetin e demokratëve”, shtoi Basha.

Ai e përjashtoi mundësinë që në selinë e PD-së të vendosen Berisha dhe mbështetësit e tij, të cilët e konsiderojnë veten si përfaqësues legjitimë të PD-së.

“Ne do të qëndrojmë të qetë në shtëpinë e demokratëve që është shtëpia e lirisë. Do të qëndrojmë me vetëdije për të gjitha gabimet tona të të kaluarës, duke përfshirë atë që vuri në lëvizje pastaj një revansh 8 vjeçar mbi Shqipërinë, demokracinë, Partinë Demokratike dhe të gjithë shqiptarët, që e ndaloi atë që do ta kishte sjellë sot Shqipërinë në BE. Gabimet e së kaluarës, sidomos kur ato përsëriten në mënyrë tragji-komike, nuk do t’i marrin peng më demokratët”, theksoi Basha.

(r.m.)