Basha: Eskobar mbështeti moscënimin e integritetit territorial të Kosovës

Kryeministri Edi Rama tha se me zyrtarin amerikan Gabriel Eskobar bisedoi për rolin e rëndësishëm të Shqipërisë në rajon, dialogun e domosdoshëm mes Kosovës dhe Serbisë dhe për “Ballkanin e Hapur”

Knid Ndrenika

Kosova ishte temë e bisedimeve në Tiranë të Zëvendës Ndihmës Sekretarit amerikan të Shtetit për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike, Gabriel Eskobar (Escobar).

Temë bazë e bisedimeve ishte gjithashtu vendosmëria e Uashingtonit kundër korrupsionit dhe dhënia fund e pandëshkueshmërisë si dhe përballja me sanksione të mundshme ekonomike dhe financiare të personave të përfshirë në korrupsion.

Ndërkaq, Kryeministri Edi Rama tha se me zotin Eskobar bisedoi për rolin e rëndësishëm të Shqipërisë në rajon, dialogun e domosdoshëm mes Kosovës dhe Serbisë dhe për “Ballkanin e Hapur”.

Zoti Rama theksoi se “Ballkani i Hapur” është një nismë transformuese për ardhmërinë e rajonit, të cilën administrata e Presidentit Xho Bajden (Joe Biden) e mbështet fuqimisht.

Në takimin e parë me kryetarin e Partisë Demokratike opozitare, Lulzim Basha u theksua sipas këtij të fundit, moscenimi i integritetit territorial të Kosovës:

“Me zotin Escobar, diskutuam për situatën në rajon, me theks të veçantë, për çështjet që kanë të bëjnë me të drejtat e shqiptarëve dhe në veçanti me Kosovën. Ia bëra të qartë zotit Eskobar, qëndrimin e Partisë Demokratike për pacenueshmërinë e integritetit territorial të Kosovës. Në përputhje me përkushtimet e ndërmarra sipas paketës “Ahtisari” që çuan në pavarësinë e Kosovës dhe me angazhimet që të gjithë shtetet që e kanë njohur Kosovën kanë në raport me integritetin territorial të saj. Jam i kënaqur që në këtë qëndrim mora mbështetjen dhe mirëkuptimin e plotë të zotit Escobar”.

Zoti Eskobar bisedoi edhe me ministren e Jashtme, Olta Xhaçka.