Basha “trimërohet”: Mbaroi koha e Berishës, do ta këpus se u bë tub oksigjeni i Ramës!

Kryedemokrati Lulzim Basha tha se “prej javësh, me zdërhalljet e tij Sali Berisha është kthyer në një tub oksigjeni për regjimin e Edi Ramës”

Knid Ndrenika

Kryetari i Partisë Demokratike opozitare në Shqipëri, Lulzim Basha tha se koha e Sali Berishës ka mbaruar.

Ai e akuzoi dy herë ish-presidentin dhe po dy herë ish-kryeministrin Berisha se është shndërruar në tub oksigjeni të shefit të ekzekutivit Edi Rama të socialistëve.

Zoti Basha ndërsa thirri mbledhjen me kryesinë e grupit të deputetëve këtë mbrëmje në selinë e partisë theksoi “bashkë me Berishën kanë mbaruar edhe mandatet e skaduara dhe përdorimi i forumeve të partisë për interesa personale”.

“Koha e Sali Berishës ka mbaruar! Asgjë dhe askush nuk do ta kthejë PD në një bunker për interesa personale”-tha kryetari Basha.

Sipas tij, “halli më i madh i shqiptarëve sot është regjimi i Edi Ramës”.

Kryedemokrati shtoi se “prej javësh, me zdërhalljet e tij Sali Berisha është kthyer në një tub oksigjeni për regjimin e Edi Ramës”.

“Jam i vendosur ta këpus këtë tub oksigjeni për regjimin e Ramës, – shtoi zoti Basha. – Partia Demokratike ka lindur si një aspiratë e popullit shqiptar për liri dhe demokraci, dhe është shpresa e shqiptarëve për të zgjidhur hallet e tyre të shumta”-vijoi kryetari opozitar demokrat.