Basha mbështet Procesin e Berlinit dhe Kosovën, Rama duhet të ishte para drejtësisë, jo në Kuvend

Në foltoren e Kuvendit fjalën e ka marrë kryedemokrati Lulzim Basha, pas ardhjes së kryeministrit Edi Rama. 

Lulzim Basha: Demokracia shqiptare nuk është në krizë, ajo ka vdekur! Ka vdekur në shtyllat e saj kryesore, në themelin e saj që janë zgjedhjet e lira. Nuk vdiq për shkaqe natyrore, packa se sëmundja e saj ishte e rëndë dhe e gjatë. Demokracia është vrarë. Gishti tregues për të kërkuar përgjegjësit e këtij krimi mund të drejtohet te shumë prej nesh që jemi në këtë sallë, apo tek ata që nuk janë më. Kushdo që është ngritur në këtë foltore në këto tre dekada ka borxhet dhe mëkatet e veta, por ekzekutori i fundit dhe i vetëm i saj është ai që foli përpara meje. Provë e kësaj është fjalimi që ai mbajti pas dy mandatesh kryekëput të dështuara nga pikëpamja e interesit publik dhe përfitimit të qytetarëve, është deliri për të fryrë gjoksin përballë dështimit me pasoja tragjike të qeverisjes, dhe përpara paaftësisë kronike për të menduar për qoftë edhe një cast të vetëm për dicka tjetër, përveç mënyrës se si të mos lëshojë pushtetin e tij. Nëse nuk do të ishte kështu, pra nëse demokracia nuk do të ishte ekzekutuar në instrumentin më të rëndësishëm të saj që janë zgjedhjet, ky njeri nuk do të ishte duke treguar përralla për atë që nuk ka bërë dhe për atë që nuk do të bëjë në të ardhmen, por do të ishte duke u marrë me avokatët e tij mbrojtës sespe do të kishte punë me drejtësinë për cfarë i ka bërë vendit bashkë me ortakët e tij. 

A janë këto që unë deklaroj sot para jush subjektive? Produkt i verbërisë së opozitës që nxinka gjithcka, sic shprehet ai dhe kasnecët e tij?! Për t’i dhënë përfitimin e dyshimit, më lejoni t’ia bëj autopsinë kufomës së kësaj qeverie, jo me bisturitë tona, por me ato të partnerëve dhe organizatave ndërkombëtare: Fillojmë me Bankën Botërore, sipas të cilës Shqipëria ka nivelin më të lartë të varfërisë në Ballkan. Gati gjysma e bashkëqytetarëve tanë jetojnë me më pak se 5.5 dollarë në ditë. Vazhdojmë me Eurostatin, sipas të cilit Shqipëria është vendi i fundit në Europë për të ardhurat për frymë. Përsëri Eurostati, shqiptarët kanë pagën minimale më të ulët dhe konsumin individual më të vogël për frymë në Europë. Nga Eurostati vijnë edhe shifrat për eksodin masiv të shqiptarëve, sipas të cilave ke konkuruar me Asadin e Sirisë për azilkërkuesit që janë shfaqur dyerve të Europës gjatë keqqeverisjes tënde. Ky është realiteti. Në vend që të ulni kokën e të kërkoni ndjesë keni pacipësinë të mburreni. Sëpaku këtë t’jua kishit kursyer shqiptarëve: mburrjet dhe vetëlavdërimet mbi varfërinë, që janë për njerëzit e thjeshtë njësoj si tju rrotullosh thikën në plagën e hapur. 

Korrupsioni është një tjetër thagmë e juaja. Nga Departamenti Amerikan i Shtetit Shqipëria cilësohet si vendi më i korruptuar i Ballkanit, ndërsa Transparency International e konsideron korrupsionin në nivelin e kapjes së shtetit. Banka Botërore dhe Banka Europiane Për Rindërtim dhe Zhvillim të rendisin të dytin në botë, pas Zambias për nivelin e ryshfetit, me shifra 3 herë më të larta se ato të 2013-ës. Sigurisht këto ndikojnë te klima e biznesit, për të cilën Shqipëria renditet e fundit në Europë në raportin më të rëndësishëm Doing Business. 

Je në listën ‘gri’ të Moneyval për pastrimin e parave, e sapo e zbrite edhe 28 vende, sigurisht parave të krimit dhe korrupsionit. Për OKB-në je prodhuesi kryesor i hashashit në Europë, si të vetmin produkt me të cilin njihet qeverisja jote, ndërsa fermerët shqiptarë që punojnë ndershmërisht tokën i ke lënë pa mbështetje, me subvencionet direkte më të ulëta në rajon. Edhe aty ku jepen me pikatore, jepen kryesisht për korrupsion dhe për të blerë vota. Sipas UNESCO-s je një nga vendet me financimet më të ulëta për arsimin, vetëm 2.3% e PBB-së, më i ulëti në 20 vjet! Shqipëria renditet e fundit në Europë sa u takon shpenzimeve për shëndetësinë, gjithmonë sipas Eurostat. Ndërsa Banka Botërore thekson se e ke renditur Shqipërinë në krah të vendeve afrikane për numrin e mjekëve për banorë dhe se qytetarët kanë pagesa maksimale nga xhepi, duke hedhur në koshin e plehrave gënjeshtrën e shëndetësisë falas. Dhe kur pandemia trokiti në derë, qytetarët hynë në borxhe për të shpëtuar jetët e tyre për shkak të një pushteti që dha mbështetjen më të ulët ekonomike në Europë. Këtë nuk e them unë, por Fondi Monetar Ndërkombëtar. Borxhi publik ka dalë nga binarët, duke kërcënuar të ardhmen e brezave. E gjete në 60% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Erdhe në pushtet duke bërtitur e duke cituar Luigj Gurakuqin “a ka ma keq se me la borxh me borxh”. Premtove se do ta ulje borxhin dhe e çove mbi 80%, më të lartin në rajon. 

Basha mbështet Procesin e Berlinit: Shqipëria ka detyrën të mbështesë Kosovën

Kryedemokrati, Lulzim Basha nga foltorja e Kuvendit është shprehur se mbështet nismën e procesit të ‘Berlinit’. 

Në fjalën e  tij, Basha tha se bashkëpunimi rajonal nuk mund të nisë nga Novi Sadi, por nga Mitrovica, ndërkohë shton se Shqipëria në këto procese duhet të mbështesë Kosovën, duke lënë të nënkuptohet se fjala është për nismën “Ballkan i Hapur”. 

Lulzim Basha: E udhës për Shqipërinë do të ishte të fokusonte të gjitha energjitë te Procesi i Berlinit, te thithja e fondeve të vëna në dispozicion – por këtu qëndron problemi se nuk i vidhni dot – dhe te mekanizmat për të sjellë më afër vendet e rajonit e për ti dhënë Kosovës vendin që i takon, si shtet i barabartë mes shteteve te rajonit, në cdo marreveshje e dokument.

Bashkëpunimi rajonal nuk mundet kurrë të nisë nga Novi Sadi, por nga Mitrovica, shqetësimi ynë duhet të jenë shqiptarët e Luginës së Preshevës, siç janë per Vuçiçin ato të serbeve të Kosovës. Në këto procese Shqipëria ka vetëm një detyrë, të mbështesë Kosovën, sepse për Shqipërinë nuk mund të jetë e mirë ajo që nuk është e mirë për Kosovën.