Basha në Fier: I lëmë pas hijet e së shkuarës, e zgjedhim të ardhmen

Tiranë, 16 janar 2022 – Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në tubim me anëtarë të partisë në Fier, të dielën, u shpreh i entuziasmuar me pjesëmarrjen në këtë tubim, të parin tubim pas protestave të dhunshme të mbështetësve të ish-kryeministrit Sali Berisha.

Basha tha se ky takim kishte një rëndësi të veçantë dhe theksoi se kjo tregon se shqiptarët ezgjedhin të ardhmen dhe jo, siç u shpreh ai, “hijet e të kaluarës”.

“Jam thellësisht mirënjohës për praninë në këtë sallë të themeluesve të PD-së, në të gjitha degët e Fierit, të atyre që në ditët më të vështira, por edhe në ditët më të bukura, të kohërave më të çmendura, por edhe kohërave të mendimit më të pastër, të ndryshimit të madh 90-91 janë sot këtu krah për krah bijave, nipërve e mbesave të tyre. Ju them nga zemra faleminderit. Faleminderit për praninë tuaj në këtë takim që ka një rëndësi të veçantë dhe është domethënës, sepse është i pari që zhvillojmë pas një ngjarjeje traumatike për demokratët, shqiptarët, siç ishte ajo e 8 janarit. Me praninë tuaj, me zërin që ushton, me sytë plot shpresë nga e ardhmja që kemi vendosur të ndjekim, duke lënë pas hijet e të shkuarës, nga Fieri oshtinë sot mesazhi se zgjedhim të ardhmen për veten tonë, për partinë tonë dhe për familjen tonë politike”, tha Basha, transmeton BalkanWeb.

Ai tha se më 8 janar në PD u shenja “vija e kuqe” me mbështetësit e Berishës, të cilët ai i quajti “pakicë”.

“Ky shtet nuk është i korruptuar, por i të korruptuarve. Ëndrra për një demokraci të vërtetë, për një Shqipëri si Europa, ku secili shpalos nga vetitë e veta, ka ngelur i parealizuar. Hapat më domethënës mbajnë vulën e demokratëve. Djersa dhe sakrifica e shqiptarëve që sakrifikuan jo për veten e tyre, por për shqiptarët. Në këtë betejë kemi sakrifikuar shumë. Demokratët na kanë dhënë shumë besim. Askush nuk është në borxh me askënd prej nesh. Dhuna nuk është mjet i demokratëve. Me dhunë as nuk shantazhohen dhe as nuk detyrohen demokratët dhe as institucionet e demokratëve. As kryetari, as këshilli, as vetë degët. Nuk i përgjigjet dhunës asnjë demokrat. Përgjigja jonë ndaj dhunës së qeverisë ka qenë dhe do të jetë e fuqishme, por brenda shtëpisë sonë, askush s’mund t’i vendoset tjetrit. Më 8 janar në kundërshtim me thirrjet tona u kalua një vijë e kuqe që na ndan dhe që duhet të na ndajë një herë e përgjithmonë. Me dhunë as nuk mund të shantazhohen, as zaptohen dhe as detyrohen demokratët apo institucionet e demokratëve nga Berisha dhe njerëzit e tij. Ata demokratë u përdorën si fasadë për të mbuluar aktin e turpshëm të dhunës. Dua t’ju ftoj nga Fieri të gjithë demokratëve kudo ku janë, dhe do të shkojë t’i takojë nga jugu në veri. Le ta lëmë të shkuarën pas. Të zgjedhim të ardhmen. Mos u dorëzoni para një pakice, kalorësve që kanë marrë gjithçka dhe që duan të jenë në karriget e përjetshme. Për ta janë gati që të ndryshojë kushtetuta. Ata janë pakica absolute. Sado ra ngrejë zërin e tyre paraja e shumicës, ata janë prapë pakica. Shumica e shqiptarëve duan ndryshimin dhe meritojnë ta kenë. Është misioni ynë të sjellim ndryshimin”, tha Basha.

Basha u prit në Fier me protestë nga disa persona. Kryetari i degës së PD-së në Fier, Agron Kapllanaj, tha se ata janë nxjerrë aty nga ish-kryeministri Sali Berisha.

(r.m.)