Basha nuk i bëri betejat kur duhej, tani është shumë vonë

Duke dashur të mos pranojë rezultatin zgjedhor, lideri demokrat Basha doli me një deklaratë bombastike: “Ne do të vazhdojmë betejën me gjithë fuqinë tonë”

A nuk ka fituar Basha?…

Nga Emin AZEMI

Dje e pardje ai e shpallte fitoren kolosale të tij, kurse tani e kuptuam që e paska ndërmend ta vazhdojë betejën.

Por, me sa e di unë, betejat politike zhvillohen para zgjedhjeve. Pas zgjedhjeve kërkohet refletkim. Pas zgjedhjeve duhet dhënë llogari përse një herë tha “fituam” e pastaj del se paska  humbur!

Beteja më fisnike e Lulzim Bashës tash do të ishte të tërhiqet nga drejtimi i PD-së, pas disa humbjeve lapidare që pësoi, dhe vendin t’ia lë një lidershipi joinferior që betejat e vërteta  politike i bën shumë kohë para zgjedhjeve.

PD-së i duhet një i djathtë sui generis që nuk del nga inkubatorët e politikës së vjetër, të cilët djathtizmin e bënë poçavër për të fshirë retorvizorin e behaneve të tyre në të kaluarën .

PD është alternativa e njëmendët e shqiptarëve, por vetëm si forcë politike që i konkurron denjësisht segmenteve djathtise të PS-së.

Një PD pa Bashën dhe me një lidership komplet të riformatuar do të ishte e ardhmja e një Shqipërie të balancuar ideoligjikisht e krahinarisht.

Në të kundërtën, PD edhe një kohë të gjatë do të mbetet hije e PS-së dhe, për rrjedhojë, Edi Rama, paradoksalisht, do të duhej të përfaqësojë edhe një pjesë të zhgënjyer të atyre që veten e konsiderojnë të afërt me të djathtën.

Në fakt, cila është e djathta e vërtetë e Shqipërisë dhe kush e përfaqëson atë? Ajo që vazhdon të jetë e zhgënjyer me performancën e dobët të Lulzim Bashës apo ajo që tek Edi Rama  e sheh një rival të cilin duhet mundur me patjetër, por me aksione tjera politike që nuk u ngjasojnë as për së afërmi aksioneve të stilit Berisha-Basha……

Mandati i tretë për Edi Ramën nuk është gjithaq meritë e këtij të fundit sa është meritë e kauzave të lajthitura opozitare të PD-së dhe të aleatëve të saj. Këto kauza të lajthitura e kanë veç një emër: Lulëzim Basha!

A do të vazhdojë PD-ja edhe më tej të jetë e lajthitur nga ata që, në vend se ta fuqizojnë, po i dhurojnë asaj humbje të njëpasnjëshme?

PD-ja dhe e djathta shqipatare nuk meriton të mbetet peng i një kryetari që nuk arriti dot asnjëherë të bëhet lider.