Basha: Nuk ka drejtësi të pavarur përsa kohë nuk ndëshkon dhunuesit e zgjedhjeve

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka dhënë mesazhet e tij për demokratët në mbledhjen e Grupit Parlamentar, që filloi prej orës 11:00.

Gjatë fjalës së tij  ai ka bërë me dije ngritjen e grupit të punës në PD për të hartuar draftin ligjor për të adresuar problemet e abuzimit me zgjedhjet dhe shitblerjen e votave.

“Së shpejti do të ngrihet grupi i punës në PD për të hartuar draftin ligjor. Duhet të bëjmë gati mekanizmat që të adresojmë problemet e abuzimit me zgjedhjet dhe shitblerjen e votës, si dhe reformë zgjedhore dhe instrumente zbatimi që mundësojnë rregulla të barabarta zgjedhore për të gjitha subjektet duke u bazuar në praktikat e mira europiane. S’mund të pretendohet për drejtesi të pavarur përsa kohë nuk ndëshkon dhunuesit e procesit zgjedhor. Ne duhet të bëjmë gjithçka për të ndarë politikën nga krimi me iniciativa ligjore e qytetare dhe denoncuar aferat e përditshme korruptive të qeverisë më të korruptuar të Europës e ndër më të korruptuarat në botë. Nisni konsultimet me qytetarët në zonat tuaja për reformën teritoriale”, mësohet të ketë thënë kryedemokrati Basha në mbledhje.

 

Kreu Basha u ka dhënë demokratëve mesazhe të prera dhe të qarta, duke iu kërkuar që të jenë zëri i problemeve të qytetarëve.
 

“Bëhuni zëri i problemeve të qytetarëve. Zbrisni në zonat tuaja dhe bëni publike shqetësimet e tyre. Rritja e çmimeve është skandaloze në kushtet e një varfërie që ka përfshirë shumicën dërrmuese të qytetarëve. Merrni informacion pranë prokurorive për ecurinë e hetimeve për masakrën zgjedhore të 25 prillit. Duhet bërë transparencë e procesit hetimor që po zvarritet me urdhra politik dhe ndjekur në çdo hallkë të gjyqsorit dhe jo vetëm”- ka thënë kryedemokrati Basha në mbledhje.

 

(BalkanWeb)

Comment

*