Basha: PD-ja u themelua për ta ribashkuar Shqipërinë me Perëndimin

Tiranë, 14 dhjetor 2021 – Kryetari i Partisë Demokratike (PD), Lulzim Basha, i kontestuar nga shumica e delegatëve të Kuvendit të partisë, ka thënë se demokratët do të bashkohen më 18 dhjetor, në mbledhjen e Kuvendit Kombëtar të ftuar nga ai.

“Demokratët do të bashkohen më 18 dhjetor për të zgjedhur sërish të ardhmen, e me qytetari do ofrojnë modelin e ndryshimit që shqiptarët kërkojnë, për t’i dhënë fund tranzicionit”, ka shkruar Basha në një postim në Facebook.

Ai ka theksuar se PD-ja, tëcilën ai e ka drejtuar prej vitit 2013, e ka rrëzuar, siç është shprehur, “kultin e individit”.

“Ora më e errët është ajo pak përpara agimit. Kështu ishte 31 vite më parë, kur Partia Demokratike e Shqipërisë u themelua për të ndarë të ardhmen nga e shkuara, për të sjellë lirinë, për të rrëzuar kultin e individit dhe për ta ribashkuar Shqipërinë me Perëndimin. Kështu është sot. Prandaj ditët më të mira i kemi përpara. Demokratët do të bashkohen më #18Dhjetor për të zgjedhur sërisht të ardhmen, e me qytetari do ofrojnë modelin e ndryshimit që shqiptarët kërkojnë, për t’i dhënë fund tranzicionit”, ka shkruar Basha.

Ai i ka bërë këto komente në kohën kur ish-kryetari i parë i PD-së dhe ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, synon që më 18 dhjetor ta shkarkojë Bashën nga pozita e kryetarit të partisë.

(r.m.)