Basha: “SHBA nuk do të bashkëpunojë me një parti që drejtohet nga një person ‘non grata’”

Tiranë, 29 dhjetor 2021 – Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do të bashkëpunojnë me asnjë parti politike që drejtohet nga një person i shpallur “non grata”.

Në takim me anëtarë të partisë në qytetin e Dibrës, Basha ka thënë se Shqipëria ka shpresë dhe aleternativë e ajo është Partia Demokratike.

“Askush nuk është i tepërt në Partinë Demokratike. Kam marrë, por kam vendosur të mos i publikoj, qindra e mijëra mesazhe nga demokratët që ndiheshin se ishin mashtruar, që ndiheshin se ishin zhgënjyer për faktin se SHBA nuk bashkëpunon me një parti që nuk distancohet nga një ‘non grata’,që ndiheshin se ishin gënjyer se qëllimi i SHBA-së ishte shkatërrimi i Partisë Demokratike.

Në fakt keni dëgjuar të kundërtën nga zyrtarët e lartë amerikanë, keni dëgjuar qartë se ata nuk bashkëpunojnë dhe nuk do të bashkëpunojnë me asnjë parti politike e cila drejtohet nga një ‘non grata’ apo nga një i mbështetur nga ‘non grata’. Keni dëgjuar tashmë se (zyrtarë të lartë amerikanë) janë pa ekuivok në krahun e Partisë Demokratike dhe presin, presin me padurim, ditën që të festojnë fitoren e Partisë Demokratike. Por, që të ndodhë kjo, ne duhet t’ia heqim Edi Ramës alibinë se nuk ka shpresë, se nuk ka alternativë. Është kjo alibi që sot, për fat të keq, e bashkon Edi Ramën me Sali Berishën.

Ne duhet t’i japim fund dhe do t’i japim fund kësaj alibie. Ka shpresë, ka alternative. Quhet Partia Demokratike e Shqipërisë. Është e bashkuar dhe është e vendosur ndaj çdo demokrati dhe demokrateje. Ju them, jo vetëm që nuk jeni të tepërt, por jeni të mirëpritur, jeni të mirëpritur me të gjitha mendimet tuaja, jeni të mirëpritur me kritikat tuaja, për të cilat jam i gatshëm që t’i dëgjojë e t’i zbatojë me një qëllim, jo për ta dobësuar, por për ta forcuar dhe për ta bërë një orë e më parë Partinë Demokratike gati për betejën që na pret.

Kjo vlen për të gjithë demokratët e sakrificave, kjo vlen për demokratët e qëndresave, kjo vlen për të rinjtë dhe të rejat, vlen për të gjithë përveç një grushti njerëzish që ju i njihni fare mirë, që kanë abuzuar me pushtetin e fituar përmes sakrificave të demokratëve, dhe që sot janë gati t’i përplasin demokratët me forcë me njëri-tjetrin, të shkatërrojnë Partinë Demokratike për karriget e tyre, për interesat e tyre personale. Ata që duan ta përdorin Partinë Demokratike si mburojë të interesave të tyre, të paprekshmërisë së tyre, u them ‘Ndal! Nuk do t’ju lejojmë’.

Demokratët nuk do të hidhen kundër njëri-tjetrit, demokratët do të jenë në krah të njëri-tjetrit e në krah me shumicën dërrmuese të shqiptarëve. Do të jemi përballë, deri në fitore, deri në mundjen e regjimit. Prandaj, pas qëndresës që bëmë bashkë, e di që s’ka qenë e lehtë për të mbrojtur identitetin e familjes sonë të përbashkët. Vjen   edhe momenti i bashkimit me këdo që mund të ketë patur pakënaqësi, pakënaqësitë e tyre legjitime”, është shprehur Basha, transmeton BalkanWeb.

(r.m.)

Comment

*