Basha: Takimi me ambasadorët ishte për të djeshmen, për të sotmen, dhe për të ardhmen

Tiranë, 14 dhjetor 2021 – Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, ka bërë një deklaratë të shkurtër për takimin që ka pasur sot (e martë) me ambasadorët e SHBA-së, BE-së, Gjermanisë, Britanisë dhe Madhe dhe Italisë në Shqipëri. “Takim i sotëm me ambasadorët ishte për të djeshme, për të sotmen dhe për të ardhmen”, ka deklaruar Basha, pas takimit me ambasadorët.

Ai nuk ka thënë asgjë më shumë për përmbajtjen e takimitme ambasadorët, por ka folur  lidhur  me arrestimin e ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka.

Sipas tij, Lefter Koka nuk është, siç është shprehur, “peshku i madh”.

“Nuk ka qytetar shqiptar ta besoj se ky është peshku i madh. E dinë të gjithë që 17 vendime qeverie brenda dite nuk i nxirrte dot një ministër. Eemrat e vërtetë që fshihen pas aferës 400 milionë euro të inceneratorëve janë ato të Edi Ramës, Damian Gjiknurit, Erion Veliajt, Klodian Mërtiri, Arben Ahmetaj e surrogateve të tjerë”, është shprehur Basha.

Takimi i Bashës me ambasadorët e SHBA-së, BE-së, Gjermanisë, Britanisë dhe Madhe dhe Italisë u zhvillua pas Kuvendit Kombëtar të partisë që u ftua nga ish-kryetari i PD-së eish-kryeministri Sali Berisha e mbështetësit e tij dhe para Kuvendit Kombëtar të ftuar nga Lulzim Basha dhe kryesia e PD-së.

Kuvendi Kombëtar i ftuar nga “Lëvizja Berisha” u mor vendim për pezullimin e organeve drejtuese të partisë, përfshirë edhe kryetarin Basha. Në këtë kuvend u vendos që më 18 dhjetor të votohet propozimi për shkarkimin e Bashës nga pozita e kryetarit.

Këshilli Drejtues i PD-së, në mbledhjen e mbajtur të hënën me ftesë të Bashës, e cilësoi Kuvendin e “Lëvizjes Berisha” si tubim jostatutar dhe të paligjshëm.  

Por, Berisha dhe mbështetësit e tij i quajnë legjitime vendimet e Kuvendit Kombëtar, i cilin, sipas tyre, e  kishte kuorumin e nevojshëm për marrjen e vendimeve.

(r.m.)