Bashkia e Durrësit skualifikoi dy nga ofertat më të ulëta për tenderin e pastrimit

Bashkia e Durrësit ka zhvilluar një tender të diskutueshëm, ku janë skualifikuar shumica e konkurrentëve, përfshirë dhe ata me ofertë më të ulët.

Institucioni i pushtetit vendor i drejtuar nga Emirjana Sako ka hapur në 7 korrik të këtij viti procedurën për shërbimin e pastrimit të njësisë administrative Ishëm me fond limit 55.7 milion lekë.

Thirrjes i janë përgjigjur katër operatorë ekonomikë, por dy prej tyre që kishin paraqitur ofertë më të ulët se kompania që më pas u përzgjodh fituese, u skualifikuan.

Komisioni i Vlerësimit të Ofertave e ka shpallur si të suksesshme ofertën e paraqitur nga bashkimi i operatorëve Afa Grup dhe Egland shpk me vlerë 52.2 milion lekë.

Sipas dokumentave rezulton se diferenca mes fituesit dhe ofertës më të ulët arrin në 1.2 milion lekë të reja pa TVSH.

Në fakt për të njëjtën procedurë që është hapur dhe njëherë në muajin mars nga Ndërmarrja e Shërbimeve Komunale Durrës sërish fitues u shpall Afa Grup dhe Egland shpk, të cilët në atë kohë ofertuan 53.5 milion lekë.

Por më pas tenderi u anulua pasi rezultoi se oferta e shpallur fituese ishte e parregullt dhe tejkalonte fondin limit.

Edhe në këtë rast procedura u shoqërua me skualifikimin e të gjithë operatorëve që kishin paraqitur ofertë më të ulët.

Çuditërisht i njëjti bashkim operatorësh u shpall fitues dy muaj pas anulimit të procedurës, por këtë herë me një ofertë më të ulët në mënyrë që të siguronte kontratën.

OraNews