Bashkim Jashari emërohet komandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës

Prishtinë, 30 nëntor 2021 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të martën, më 30 nëntor, e ka emëruar gjenralmajorin Bashkim Jashari komandant të ri të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Zyra e Presidentes ka njoftuar se emërimi i Jasharit është bërë me propozim të ministrit të Mbrojtjes, Armend Mehaj, dhe me rekomandim të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Gjeneral-majori Bashkim Jashari ka qenë shef i Inspektoratit të FSK-së.

Para emërimit të komandantit të ri, Presidentja Osmani e ka dekretuar lirimin nga detyra të komandantit të deritanishëm të FSK-së, general-lejtënant Rrahman Rama, i cili ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë.

Mediet në Prishtinë kanë raportuar se Rama, i cili ishte emëruar në këtë pozitë në vitin 2015, ka dhënë dorëheqjes pas përplasjeve me ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj, Këto raportime nuk janë konfirmuar nga vetë Rama.

Forca e Sigurisë së Kosovës është themeluar më 2009 në bazë të Planit të Ahtisaarit, dokument që ka rezultuar me pavarësinë e Kosovës. Kjo Forcë është ngritur nën mbikëqyrjen e NATO-s.

Në dhjetor të vitit 2018, Kuvendi i Kosovës ka miratuar ndryshimet ligjore për transformimin e FSK-së nga forcë civile në ushtri. Procesi i transaformimit në ushtri do të zgjasë 10 vjet dhe do të monitorohet nga NATO.

Me ligjin e ri, krahas mandatit për ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, FSK autorizohet të ofrojë mbështetje edhe për autoritetet civile dhe të marrë pjesë në operacione ndërkombëtare, si pjesë e kontigjeteve të forcave paqeruajtëse.

(r.m.)