Bashkimi Evropian pralajmëron pakon e katërt të sanksioneve ndaj Rusisë

Versajë, 11 mars 2022 – Bashkimi Evropian (BE) do të pezullojë trajtimin e privilegjuar tregtar dhe ekonomik të Moskës, do të frenojë përdorimin e saj të kriptovalutave dhe do të ndalojë eksportin e mallrave luksoze evropiane në Rusi dhe importin e produkteve të hekurit dhe çelikut nga ky vend, tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Masat e reja do të futen si paketa e katërt e sanksioneve për shkak të pushtimit rus të Ukrainës dhe veprimet do të koordinohen me Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tjerë të Grupit të Shtatë (G7).

Von der Leyen tha se BE-ja do të prezantojë një paketë të katërt masash, të shtunën, më 12 mars, për të izoluar edhe më tej Rusinë dhe për të shkurtuar burimet që Moska sipas saj po përdorte për të financuar luftën në Ukrainë.

Ajo theksoi se të drejtat e Rusisë për të drejtuar institucionet shumëpalëshe, si Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Banka Botërore, do të pezullohen.

BE-ja, së bashku me aleatët e tjerë perëndimorë si Shtetet e Bashkuara, do të shfuqizojnë statusin tregtar më të favorshëm të Rusisë, duke i hapur rrugën ndalimeve dhe vendosjes së tarifave ndëshkuese ndaj mallrave ruse, duke e vendosur Rusinë në të njëjtin status si Koreja e Veriut apo Irani.

Hapi i parë është ndalimi i importit të produkteve të hekurit dhe çelikut.

Bashkimi Evropian do të ndalojë veçanërisht eksportin e mallrave luksoze evropiane në Rusi, dhe përmes këtij vendimi, BE-ja synon t’i godasë elitat ruse.

Përveç kësaj, BE-ja do të ndalojë investimet evropiane në sektorin energjetik rus.

“Ndalimi do të përfshijë të gjitha investimet, transferimet e teknologjisë, shërbimet financiare, për shembull për kërkimin dhe prodhimin e energjisë, dhe kështu do të ketë një ndikim të madh në [presidentin rus Vladimir] Putin”, shtoi Von der Leyen.

Sipas Byrosë Evropiane të Statistikave (Eurostat), vlera e mallrave të importuara në BE nga Rusia në vitin 2019 arriti në vlerën prej 145 miliardë eurosh, nga të cilat 101 miliardë euro janë shpenzuar për naftë dhe gaz.

(REL.)

Comment

*