Bashkimi Evropian: Situata në veri të Kosovës vazhdon të jetë e brishtë

Bruksel, 3 janar 2023 – Zëdhënësja e BE-së për politikë të jashtme, Nabila Massrali, ka thënë se situate në pjesën veriore të Kosovës vazhdon të jetë e brishtë dhe u ka bërë thirrje palëve që të përmbahen nga aktet që mund të çojnë nëpërshkallëzimin e situatës.

“Ne kemi mirëpritur deeskalimin e tensioneve dhe largimin e barrikadave. BE-ja ka luajtur rol aktiv në arritjen e kësaj, në koordinim me SHBA-në dhe KFOR-in. Situatat vazhdon të mbetet e brishtë. Presim nga të gjitha palët që të përmbahen dhe ta ruajnë qetësinë. T’i evitojnë veprimet që kanë potencial për të kthyer përshkallëzimin apo dhunën. EULEX-i vazhdon ta monitorojë situatën”, ka thënë Massrali të martën, në konferencë për media.

Ajo ka thënë se zhvillimet e fundit në veri të Kosovës kanë treguar se sa e rëndësishme është të arrihet marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës e Serbisë.

“Zhvillimet e javëve të fundit kanë treguar se sa e rëndësishme është të bëhet progres i vërtetë dhe i pakthyeshëm drejt normalizimit të marrëdhënieve”, ka thënë ajo.

Massrali ka thënë gjithashtu se Bashkimi Evropian pret implementimin e gjitha marrëveshjeve të arritura deri tash në dialogun Kosovë-Serbi, si edhe kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës.

“Duke filluar me kthimin e serbëve të Kosovës në institucione dhe fillimin e diskutimeve për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe. BE-ja do të vazhdojë me të dyja palët në këtë drejtim”, ka thënë Zëdhënësja e BE-së për politikë të jashtme, Nabila Massrali.

(r.m.)