Bashkohu me Rrjetin “Miqtë e Shqipërisë”

Presidenti Bujar Nishani

Presidenti Bujar Nishani

Të nderuar bashkatdhetarë, të nderuar miq të Shqipërisë,

Nisur nga rëndësia e veçantë që ka potenciali i madh njerëzor, kulturor, shkencor dhe financiar i gjithë shqiptarëve në diasporë që përbën një mbështetje të fuqishme për të gjitha proceset e zhvillimit demokratik, ekonomik dhe social të Shqipërisë jam shumë i nderuar të ndërmarr nismën e ngritjes së platformës së komunikimit dhe bashkëpunimit ndërmjet institucionit që unë drejtoj dhe të gjithë bashkëkombësve të mi si dhe organizatave të diasporës shqiptare kudo që ndodhen.

Në këtë kuadër, kam nderin dhe kënaqësinë t’ju njoftoj për fillimin e kësaj nisme me hapjen e rubrikës së dedikuar në mënyrë të veçantë për Diasporën Shqiptare në faqen zyrtare të internetit të Institucionit të Presidentit të Republikës së Shqipërisë.

Kjo rubrikë do të ketë për qëllim të evidentojë figurat dhe organizatat më të spikatura të shqiptarëve në diasporë si dhe të gjithë miqtë e Shqipërisë në botë për t’i vlerësuar me tituj dhe dekorata të ndryshme si një shembull dhe imazh shumë pozitiv për vendin tonë.

Përveç evidentimit të arritjeve që kanë shqiptarët e diasporës sonë në fushën e integrimit në vendet ku ata punojnë dhe jetojnë, kjo rubrikë do të ndihmojë edhe në evidentimin e preokupimeve dhe problemeve kryesore që kërkojnë një angazhim konkret të institucioneve të shtetit shqiptar për zgjidhjen e tyre.

Është detyrë shumë e rëndësishme për shtetin Shqiptar që të harmonizojë dhe të koordinojë potencialin e gjithanshëm që zotërojnë shqiptaret e diasporës dhe miqtë e vendit tonë duke frymëzuar dhe mundësuar krijimin e “Rrjetit të Miqve të Shqipërisë” në botë si një mbështetje mjaft e çmuar në interes të përparimit te vendit dhe të kombit tonë.

Janë plotësisht të mirëpritur të gjithë bashkëqytetarët dhe bashkëkombësit tanë që të evidentojnë dhe të përcjellin pranë kësaj rubrike të gjithë personat dhe shoqatat më të suksesshme në të gjitha fushat. Rubrika është e hapur për të gjitha llojet e kontributeve që janë të gatshëm të japin të gjithë përfaqësuesit e diasporës shqiptare pa dallim.

Në cilësinë e Presidentit të Republikës unë jam plotësisht i angazhuar që në të gjitha takimet zyrtare jashtë vendit si dhe në vizitat e tjera të pjesëmarrjes në veprimtaritë e ndryshme të kontaktoj rregullisht dhe të shkëmbej mendime sa më frytdhënëse për arritjen e objektivave të kësaj nisme.

Komunikimi im me Shqiptarët që jetojnë kudo në botë është një detyrim kushtetues që ka rëndësi jo vetëm për të sotmen, por edhe për të ardhmen e vendit tonë dhe të imazhit të tij pozitiv duke shërbyer si platformë konkrete, e hapur dhe e vazhdueshme e komunikimit dhe e bashkëpunimit gjithëpërfshirës institucional me ju.

Me shumë konsideratë dhe respekt,

Bujar NISHANI

President i Republikës së Shqipërisë