BB: Shqipëria e Kosova shënuan rimëkëmbje e fuqishme të ekonomisë

Uashington, 21 tetor 2021 – Shqipëria dhe Kosova rregjistruan një rimëkëmbje të fuqishme të ekonomisë së tyre pas frenimit që pësuan vitin e kaluar për shkak të pandemisë Covid 19, bëri të ditur sot raporti periodik i Bankës Botërore (BB) mbi zhvillimet ekonomike në Ballkanin Perëndimor. Ekonomia shqiptare pritet të rritet me 7.2 për qind këtë vit, ndërsa ajo e Kosovës me 7.1 për qind. Këto janë nivelet më të larta në rajon, pas Malit të Zi, ku Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) parashikohet të arrijë në 10.8 për qind.

Shqipëria

Ecuria e aktivitetit ekonomik në Shqipëri mbështetet kryesisht në sektorët e shërbimeve dhe ndërtimit. Sipas drejtuesit të zyrës së Bankës Botërore në Tiranë, Emanuel Salinas “rritja më e qëndrueshme në sektorë të tjerë është endë një fushë mundësishë për vendin”. Parashikimet e Bankës Botërore janë që rritja të bjerë ndjeshëm në dy vitet e ardhshme, duke u reduktuar në një nivel mesatar prej 3,8 për qind për vitin 2022 dhe 3,7 për qind për vitin 2023. Ecuria e mëtejshme e saj, sipas Bankës Boterore, do të ndikohet dhe nga situata e pandemisë, përfshirë procesin e vaksinimit, i cili në Shqipëri po ecën me ritme të ngadalta, por dhe nga faktorë të tjerë që pritet të ndikojnë të gjithë rajonin, si rritja e çmimeve të energjisë që do të ketë ndikim në ekonomi gjatë muajve në vijim.

“Pasiguria mbetet e larte dhe kjo kërkon ndërmarrjen e veprimeve apo kujdes në hartimin e politikave nga ana e autoriteteve”, theksoi zoti Salinas.

Shqipëria është gjithashtu një ndër vendet me deficitin fiskal dhe borxhin publik nga më të lartët në rajon.

Sipas Bankës Botërore, rimëkëmbja e shpejtë e ekonomisë ka ndikuar dhe në ujen e varfërisë, niveli i së cilës, pritet të bjerë në kuotat e para pandemisë.

Megjithatë, sipas të dhënave të këtij institucioni financiar ndërkombëtar, Shqipëria është vendi me nivelin më të lartë të varfërisë në rajon, me 30.8 përqind, ndërkohë që vendet e tjera janë në kuota ndjeshëm më të ulta.

Kosova

Rritja ekonomike në Kosovë është nxitur kryesisht nga rikuperimi më i fortë se sa pritej në numrin e vizitorëve nga diaspora, rikthimit të besimit të konsumatorit dhe rritjes së nivelit të kredive konsumatore.

“Ekonomia e Kosovës po rimëkëmbet me hapa të shpejtë nga pandemia COVID-19, dhe deri në fund të vitit 2021 pritet që prodhimi i brendshëm bruto të tejkalojë nivelin e vitit 2019, megjithatë rreziqet për perspektivën mbeten të larta pasi vendi vijon përpjekjet në luftën kundër pandemisë”, thuhet në raport.

Banka Botërore vlerëson se ndikimin të madh në përshpejtimin e rimëkëmbjes patën edhe kufizimet e pakta në aktivitetin ekonomik, masat mbështetëse fiskale dhe rritja e fortë e kredisë që kanë forcuar konsumin privat.

Sipas Bankës Botërore, rimëkëmbja ekonomike është shoqëruar me rritje të punësimit formal. “Rreth 40 mijë vende pune formale janë evidentuar më shumë se gjatë viteve 2019 dhe 2020 ndërsa numri i punëkërkuesve të regjistruar pësoi rënie më shumë se 30 për qind”.

Por, sipas raportit, sfidë mbetet rritja e çmimeve të konsumit, e udhëhequr kryesisht nga rritja e çmimeve të importit, ku gjatë këtij viti inflancioni pritet të sillet rreth 3.5 për qind.

Banka Botërore parasheh që gjatë këtij viti eksporti dhe importi i mallrave të shënojë rritje të lartë. Importet pritet të rriten me më shumë se 30 për qind në 2021, për të përballuar rigjallërimin në konsum, eksporte dhe investime ndërsa eksportet e mallrave pritet të rriten me 35 për qind.

Deficiti fiskal pritet të ngushtohet ndjeshëm për shkak të përmirësimit të fortë të perfomancës në mbledhjen e të ardhurave publike dhe ngadalësimit në realizimin e investimeve publike.

Sipas Bankës Botërore, sektori financiar po përjeton rritje të lartë të kredive dhe depozitave dhe deri në muajin korrik, rritja e kredive arriti në 12 për qind ndërsa e depozitave 14.5 për qind.

Por, rritja aktuale sipas Bankës botërore pritet të ngadalësohet gjatë viteve në vazhdim. Sipas parashikimeve të kësaj banke, Kosova pritet të ketë një rritje ekonomike më të madhe se 4 për qind në periudhën afatmesme, por kjo do të varet nga rrjedha globale e pandemisë dhe menaxhimi i suksesshëm i saj.

Megjithatë, perspektiva është nën kërcënimin e rreziqeve të konsiderueshme të lidhura me COVID-19.

“Duke pasur parasysh varësinë e madhe të Kosovës nga vizitat e diasporës, arritja e objektivit të vaksinimit të 60 për qind të popullsisë deri në fund të vitit mbetet e rëndësishme për zbutjen e rreziqeve të lidhura me pandeminë dhe shmangien e rivendosjes së masave të rrepta kufizuese ndaj aktivitetit ekonomik”, thuhet në raport.

Banka Botërore bën thirrje që Kosova të përshpejtojë reformat ekonomike për të rritur potencialin e saj ekonomik, duke nisur nga përforcimi i qëndrueshmërisë makroekonomike, qeverisjes së shëndoshë, rritjes së produktivitetit të ndërmarrjeve dhe të fermave, rritjes së kapitalit njerëzor dhe nxitjes së eksporteve, konkurrencës dhe investimeve private, veçanërisht investimeve të huaja direkte.

(Zëri i Amerikës)