BE akuzon Rusinë për kryerje të krimeve të luftës në Ukrainë

Bruksel, 22 mars 2022 – Vendet e Bashkimit Evropian akuzuan të hënën ushtrinë ruse për kryerjen e krimeve të luftës në Ukrainë, por duket se nuk ka të ngjarë të godasin së shpejti me sanksione sektorin energjetik të Moskës, pavarësisht thirrjeve në të gjithë Evropën për të vënë para drejtësisë personat që janë përgjegjës për sulmet ndaj civilëve.

Me rritjen e viktimave të civilëve në qytetin ukrainas të Mariupolit, Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock theksoi rritjen e sulmeve ruse ndaj infrastrukturës civile, duke përfshirë spitalet dhe teatrot.

“Gjykatat do të duhet të vendosin, por për mua këto janë qartazi krime lufte,” tha ministrja e jashtme gjermane.

Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, i cili kryesoi një takim të ministrave të jashtëm të bllokut në Bruksel, tha se “ajo që po ndodh në Mariupol është një krim masiv lufte. Ata po shkatërrojnë gjithçka, duke bombarduar dhe vrarë të gjithë pa dallim. Kjo është e tmerrshme.”

Qyteti jugor i rrethuar, pranë Detit Azov ka përjetuar disa nga tmerret më të rënda të luftës. Zyrtarët e qytetit thonë se të paktën 2,300 njerëz kanë vdekur nga sulmet e forcave ruse, një pjesë e tyre të varrosur në varreza masive.

Gjykata Ndërkombëtare për Krimet në Holandë po mbledh prova për ndonjë krim të mundshëm lufte në Ukrainë, por Rusia, ashtu si Shtetet e Bashkuara, nuk e njeh juridiksionin e gjykatës.

Ministri i Jashtëm irlandez Simon Coveney tha se vendi i tij është “sigurisht i hapur ndaj mekanizmave të tjerë të llogaridhënies në lidhje me mizoritë që po ndodhin në Ukrainë tani”.

Zoti Coveney tha se sulmi rus ndaj Ukrainës “po nxit një zemërim në të gjithë Bashkimin Evropian brenda publikut në lidhje me pamundësunë tonë për ta ndalur këtë”. Ai tha se evropianët “duan që njerëzit të mbajnë përgjegjësi për vendimet e marra dhe brutalitetin që kemi parë”.

Zoti Coveney pret hartimin e një raundi të ri sanksionesh nga BE-ja, ndoshta pas mbërritjes së presidentit amerikan Joe Biden në Bruksel të enjten për bisedime me udhëheqësit evropianë në selitë e NATO-s dhe BE-së.

Të njohur për reagimet e tyre shpesh të ngadalta, vendet e BE-së janë mbledhur që nga fillimi i sulmit rus ndaj Ukrainës më 24 shkurt për të vendosur sanksione ndaj qindra njerëzve, duke përfshirë presidentin rus Vladimir Putin, ministra të lartë dhe oligarkë pro-Kremlinit.

Disa “entitete”, kompani, banka, linja ajrore dhe ndërtues anijesh janë goditur gjithashtu me sanksione brenda një kohe gati rekord. Por çështja e vendosjes së sanksioneve ndaj sektorit rus të energjisë mbetet jashtëzakonisht e ndjeshme, duke patur parasysh varësinë e shumë vendeve të BE-së nga nafta dhe gazi natyror rus.

Ministri i Jashtëm i Irlandës tha se sanksionet ndaj sektorit rus të energjisë nuk pritet të shqyrtohen këtë javë.

Një grup vendesh të udhëhequra nga Gjermania kërkuan një pauzë të sanksioneve të reja për momentin, mes shqetësimeve për çmimet e larta të energjisë dhe frikës se Rusia mund të ndalë eksportet e gazit në Evropë. Disa vende duan gjithashtu të kursejnë sanksionet për çdo mizori të re dhe të madhe të luftës, si përdorimi i armëve kimike.

Por ministri i Jashtëm i Lituanisë, Gabrielius Landsbergis, vendi i të cilit kufizohet me Rusinë dhe Bjellorusinë, paralajmëroi kundër “lodhjes nga vendosja e sanksioneve”.

“Nuk mund të lodhemi nga sanksionet dhe procesi i dhënies së ndihmës për Ukrainën”, tha ai. Zoti Landsbergis tha se BE-ja duhet të vendos në shënjestër naftën, një burim kryesor i të ardhurave për Rusinë.

Ai tha se BE-ja duhet gjithashtu të fillojë të mendojë se çfarë lloj sulmi nga Rusia do të përbënte një “vijë të kuqe” që do të çonte në marrjen e masave më të ashpra. Granatimet e qyteteve dhe civilëve, tha ai, nuk duket të jenë të mjaftueshme për të bindur disa vende anëtare “por duhet të ketë një kufi për këto veprime”.

Zoti Landsbergis tha gjithashtu se tre vendet baltike, Lituania, Letonia dhe Estonia kanë nevojë për ndihmë nga vendet partnere për forcimin e mbrojtjes së tyre.

“Ne duhet të shohim dislokim të më shumë pajisjeve dhe shppenzime më të mëdha para së gjithash në planet aktuale të mbrojtjes për vendet baltike që do të pasqyronin realitetin e ndryshuar strategjik të rajonit”, u tha ai gazetarëve.

Ministrat e jashtëm të BE-së miratuan një këst të dytë prej 500 milionë eurosh për të ndihmuar në blerjen e armëve dhe ndihmave të tjera për Ukrainën, tha zoti Borrell.

(Zëri i Amerikës)