BE e SHBA diskutojnë për rritjen e furnizimeve me gaz të lëngshëm

Bruksel, 7 shkurt 2022 – Bashkimi Evropian po bisedon me Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera lidhur me mundësinë e rritjes së eksportit të gazit në Evropë mes shqetësimeve mbi furnizimin nga Rusia, tha Presidentja e Komisionit të Bashkimit Evropian, Ursula von der Leyen.

“Po krijojmë një partneritet për sigurinë energjitike me Shtetet e Bashkuara, për më shumë furnizime me Gaz Natyror të Lëngshëm (GNL). Po negociojmë me vende të tjera si Norvegjia, për shtimin e furnizimeve të tyre për Evropën,” tha zonja von der Leyen të hënën. Përshkallëzimi i tensioneve mes Perëndimit dhe Moskës lidhur me Ukrainën ka ngjallur shqetësime për furnizimin me gaz rus të Evropës. Çmimet janë rritur në nivele rekord muajt e fundit, mes të tjerash për shkak të uljes së sasisë së importeve nga Rusia.

Rezervat e gazit në Evropë janë rreth 10% më të ulëta se zakonisht për këtë periudhë të vitit. Firma ruse Gazprom ka thënë se po përmbush të gjitha kontratat afatgjata, por është akuzuar nga zyrtarët e BE-së dhe Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë se po dërgon sasi të pamjaftueshme gazi në Evropë në mes të krizës mbi Ukrainën.

Zonja Von der Leyen tha se është “e çuditshme” që Gazpromi nuk ka rritur furnizimin me gaz të Evropës, pavarësisht çmimeve rekord dhe kërkesës së lartë.

“Ka shenja në rritje se Kremlini po vazhdon të përdorë furnizimin me gaz si mjet presioni politik,” tha ajo.

Rusia mbulon rreth 40% të nevojave të gazit të BE-së. Pasojat e mundshme për furnizimin me gaz, nëse Rusia pushton Ukrainën, kanë nxitur BE-në të rrisë importin nga vende të tjera.

Zyrtarët e lartë të BE-së dhe Shteteve të Bashkuara takohen në Uashington sot për bisedime lidhur me mundësinë e furnizimit me Gaz Natyror të Lëngshëm. BE-ja po bën gjithashtu negociata me Katarin dhe Azerbajxhanin.

BE-ja ka thënë se infrastruktura e saj e magazinimit dhe aftësia për të importuar më shumë GNL duhet të jetë në gjendje t’i mbrojë vendet nga pasojat e rënda të mungesës së gazit, por analistët thonë se ndërprerja e plotë e furnizimit nga Rusia do të sillte nevojën e masave urgjente, si për shembull mbylljen e disa fabrikave.

Presidentja e Komisionit të BE-së, Von der Leyen tha se çmimet e gazit mund të vazhdojnë të mbeten të larta. Shumica e vendeve të BE-së kanë zbatuar lehtësime në taksa, subvencione dhe masa të tjera për të mbrojtur konsumatorët nga rritja e faturave në përgjigje të rritjes së fundit të çmimeve.

“Nuk përjashtohet mundësia që çmimet e gazit të mbeten të larta për një kohë të gjatë,” tha ajo.

(Zëri i Amerikës)