BE-ja e heq Kosovën nga lista e vendeve të sigurta

Bruksel, 30 gusht 2021 – Këshilli i Bashkimit Evropian ka konfirmuar heqjen e Kosovës nga lista e vendeve të sigurta, ndaj të cilave nuk ka pasur kufizime për udhëtime në BE për shkak të pandemisë,.

Nga lista e vendeve të sigurta janë hequr edhe Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Libani dhe Izraeli.

Sipas njoftimit të BE-së, udhëtimet që nuk janë të domosdoshme nga këto shtete në BE do t’u nënshtrohen masave kufizuese. Masa nuk paragjykon vendimet e shteteve anëtare që të heqin kufizimet për personat plotësisht të vaksinuar nga këto shtete.

Rritja alarmante e numrit të të infektuarve dhe numrit të vdekjeve nga pasojat e sëmundjes COVID-19, ka bërë që Bashkimi Evropian të ndryshoj listën e vendeve të sigurta.

Cilat do të jenë kufizimet do të varet edhe nga vendet anëtare të BE-së pasi disa prej tyre edhe më herët, pa e pritur vendimin e Këshillit, kishin vendosur kufizime duke kërkuar testet negative nga ana e udhëtarëve.

Sipas burimeve brenda BE-së, nga vendet të cilat nuk janë në listën e “vendeve të sigurta”, nuk lejohet fare hyrja në BE përveç rasteve për nevoja profesionale apo për shkak të lidhjeve të ngushta familjare.

Nga kufizimet do të përjashtohen edhe personat të cilët në territorin e ndonjë vendi të Bashkimit Evropian kanë vendbanim. Por, edhe ata mund të detyrohen të vendosen në vetizolim për një periudhë të caktuar kohore.

Kosova ishte vendosur në listën e vendeve të sigurta në fund të muajit qershor, pikërisht në prag të pushimeve verore. Në atë kohë, numri i të infektuarve ishte shumë i ulët dhe po ashtu edhe ai i të vdekurve nga pasojat e virusit. Tash në BE janë të shqetësuar me numrin shumë të madh të të infektuarve dhe përqindjen e lartë në krahasim me numrin e të testuarve.

Të hënën, më 30 gusht, në Kosovë janë regjistruar edhe 20 viktima si pasojë e COVID-19, ndërsa janë regjistruar 932 raste të reja pozitive me koronavirus.

Rastet e reja dalin pas testimit të 7.384 mostrave në laboratorët shtetërorë dhe privatë.

Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) tha të hënën se në spitalet dhe në klinikat ku trajtohen pacientët me koronavirus janë të shtrirë 1.142 pacientë me koronavirus. Prej tyre, 60 pacientë janë në kujdes intensiv, ndërsa 1.062 janë duke u trajtuar me oksigjeno-terapi.

(r.m.)

Comment

*