BE-ja e quan “mesazh të shkëlqyeshëm” për rajonin marrëveshjen për target

 

Bërdo (Slloveni), 6 tetor 2021 – Bashkimi Evropian (BE) e ka vlerësuar marrëveshjen mes Kosovës e Serbisë për targat e automjeteve.

Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e ka cilësuar marrëveshjen si mesazh të shkëlqyeshëm për mbarë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Von der Leyen ka thënë se ky është një shembull që duhet të ndiqet nga të gjithë.

“Marrëveshja e lehtësuar nga BE-ja ishte mesazh i shkëlqyeshëm edhe për rajonin. Kjo dëshmon se është e mundur që kur uleni në tavolinën e negociatave me dëshirën për të gjetur zgjidhje, edhe në situata të vështira mund të gjenden zgjidhje e të vazhdojmë përpara”, ka thënë ajo në konferencën për media pas sesionit të parë të Samitit të Sllovenisë.

Përfaqësuesi i Lartë Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, është shprehur i lumtur që Kosova e Serbia, siç ështëshprehur, “e kanë tejkaluar krizën me targat e automjeteve” dhe i ka ftuar palët që të vazhdojnë dialogun.

“Sa i përket Kosovës dhe Serbisë, jam i lumtur të shoh se ditëve të fundit kemi tejkaluar disa vështirësi në kufi, në veri të Kosovës. E tash duhet të vazhdojmë me dialog, për të zgjidhur problemet mes vendeve kandidate. Në rrugën drejt Evropës, diferencat duhet të mbeten anash dhe të vazhdojnë reformat”, ka thënë Borrell.

Në fund të shtatorit, Kosova e Serbia arritën marrëveshje të përkohshme për targat, pas situatës së tensionuar në veri, përshkak se grupe serbësh i bllokuan rrugët në kufi me Serbinë, duke kundërshtuar reciprocitetin për targat e automjeteve. Sipas marrëveshjes që u arrit në Bruksel me ndërmjetësimin e Basshkimit Evropian në të dy shtetet ka filluar mbulimi i simboleve shtetërore në target e automjeteve.

(r.m.)

Comment

*