BE-ja nuk e komenton kërkesën e Kosovës për anëtarësim në KE

Bruksel, 12 maj 2022 – Bashkimi Evropian ka qenë në dijeni edhe më herët se Kosova do të dorëzojë kërkesë për anëtarësim në Këshillin e Evropës, por nuk e ka komentuar këtë hap pasi kjo organizatë nuk ka të bëjë me BE-në.

“Ne jemi në dijeni për qëllimin e shprehur të Kosovës për të kërkuar anëtarësim në Këshillin e Evropës. Por, në njërën anë, ne nuk i komentojmë paralajmërimet dhe shprehjen e qëllimeve, e në anën tjetër nuk i komentojmë proceset e mundshme në institucionet tjera. Vetëm t’iu rikujtojmë se Bashkimi Evropian nuk është anëtar i Këshillit të Evropës”, ka thënë zëdhënësi i BE-së për Çështje të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano.

Ai ka thënë se, sa i përket BE-së, “mund të rikujtojë thirrjen që Kosova dhe Serbia të bëjnë gjithçka në mundësinë e tyre për të çuar para dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e raporteve mes tyre”.

Ndonëse Bashkimi Evropian nuk shprehet rreth kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, shumë shtete anëtare në mënyrë jozyrtare kanë paralajmëruar se do ta mbështesin Kosovën për t’u bërë anëtare e Këshillit të Evropës sipas procedurave të fuqi.

(REL)

Comment

*