BE-ja u sheh takimet e ardhshme si vazhdim të dialogut dhe jo si fillim të ri

Bruksel, 3 qershor 2021 – Bashkimi Evropian i sheh takimet e ardhshme në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, si vazhdim i dialogut dhe jo si ndonjë fillim i ri i tij.

Në pritje të takimit të Kryeministrit të Kosovës Albin Kurti me Presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq, në Bruksel, diku nga mesi i muajit qershor, zyrtarët e BE-së kanë thënë se “ky dialog ka nisur në vitin 2011 dhe do të vazhdojë me takimin e ri, në nivelin e lartë që do të zhvilloihet së shpejti”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se takimet e ardhshme në kuadër të dialogut i sheh si një nisje e re dhe jo si vazhdim të dialogut të deritashëm. Në BE, po ashtu, i kanë përsëritur thirrjet për zbatimin e marrëveshjeve të  arritura deri më tash në dialog.

“Rruga drejt BE-së për Kosovën dhe Serbinë, shkon përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Ky dialog ka nisur në vitin 2011 dhe vazhdon me takimin e nivelit të lartë së shpejti. Në kuadër të procesit që është në vazhdim e sipër, janë ndërruar qeveritë në të dyja anët, por përkushtimi ka mbetur. Të gjitha çështjet e diskutuara deri me tash dhe që do të diskutohen në të ardhmen në kuadër të dialogut, janë kyçe për normalizimin gjithëpërfshirës të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë zëdhënësi i BE-së për çështje të jashtme, Peter Stano.

Ai ka shtuar se “Bashkimi Evropian dhe shtetet anëtare, presin nga të dyja palët që të vazhdojnë përkushtimin e tyre për angazhim në këtë dialog dhe të zbatojnë marrëveshjet e mëparshme”.

“BE-ja dhe shtetet anëtare të saj, presin nga autoritetet e reja në Prishtinë që të angazhohen në mënyrë konstruktive, me qëllim të vazhdimit të takimeve në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja dhe të shfrytëzojnë rastin që ta sjellin këtë proces deri te një përmbyllje e suksesshme”, ka thënë ky zëdhënës i BE-së.

“Është në rregull të jesh i butë dhe të bësh kompromis. Por kur dikush të shtyn drejt një muri, kur sheh se dikush nuk dëshiron kompromis, duhet të tregosh mprehtësi dhe force”, ka thënë Vuçiq në një konferencë për media, pas takimit që ka pasur me përfaqësuesit nga Republika Serbe.

Ai ka shtuar se kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin, do të trajtojë si “çdo përfaqësues tjetër të institucioneve të përkohshme”.

(REL)

Comment

*