BE: Marrëveshjet e thonë qartë se në Kosovë do të përdoren vetëm targat e makinave të lëshuara prej saj

Bruksel, 1 korrik 2022 – Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha në një përgjigje për Zërin e Amerikës se BE-ja është njoftuar në fillim të kësaj jave për vendimet e Kosovës lidhur me targat dhe dokumentet e identifikimit, por nuk është këshilluar për planet e qeverisë e Kosovës.

Ai tha se sipas marrëveshjeve të arritura në vitet 2011 dhe 2016 në bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për lirinë e lëvizjes, Kosova ka të drejtë të heqë shkallë shkallë targat me shkurtesën KM, të lëshuara nga Serbia. “Marrëveshjet thonë qartë se në Kosovë do të përdoren vetëm targat e lëshuara nga Kosova”, thuhet në përgjigje.

“Megjithatë, është e rëndësishme që të jepet kohë e mjaftueshme për zbatimin e këtij plani dhe që ai të përgatitet e zbatohet në këshillim të ngushtë me qytetarët e prekur dhe në përputhje me praktikat e mira evropiane”, tha zoti Stano, duke shtuar se “liria e lëvizjes është një gur themel i Bashkimit Evropian”, prandaj tha ai “presim që Kosova dhe Serbia të promovojnë lirinë e lëvizjes në rajon dhe të veprojnë në mënyrë konstruktive në këtë drejtim, dhe të mos vendosin pengesa të paarsyeshme që do të kufizonin lirinë e lëvizjes”.

Zoti Stano u bëri thirrje të dyja palëve të shfrytëzojnë bisedimet e lehtësuara nga Bashkimi Evropian si platformë për të trajtuar dhe zgjidhur të gjitha çështjet e hapura, përfshirë lirinë e lëvizjes dhe targat e makinave.

“Bashkimi Evropian pret që Kosova dhe Serbia të krijojnë një mjedis të përshtatshëm për pajtimin, qëndrueshmërinë rajonale dhe bashkëpunimin për të mirën e qytetarëve të tyre. Kjo është thelbësore për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve të tyre, dhe të dyja palët duhet të përqendrohen plotësisht për këtë synim”, tha zoti Stano.

(Zëri i Amerikës)