BE me masa të reja kundër Rusisë dhe në ndihmë të Ukrainës

Për herë të parë në histori, Bashkimi European, ka vendosur të blejë armë për të furnizuar dhe ndihmuar një vend në luftë.

Mjete luftarake, armë, municione, e pajisje ushtarake do të dërgohen në Ukrainë.

BE gjithashtu vendosi mbylljen e hapësirës ajrore për Rusinë. Asnjë avion rus, as avionë tregëtarë e me udhëtarë nuk do të mund të fluturojnë askund në qiejt e vendeve anëtare të Europës.

Së fundi, kanalet shtetërore të propagandës së Kremlinit, Sputnik dhe RT (Russia Today) si dhe filialet e tyre janë të ndaluar në mbarë hapësirën e BE-së për të mos lejuar justifikimin e dhunës ndaj një vendi sovran.

Putini gjithmonë është lavdëruar për aftësinë e tij për t’i vënë europianët kundër njëri-tjetrit. Ky sulm ekstremist dhe i panevojshëm kundër një vendi ka shkatërruar punën që ka bërë për 20 vjet me radhë. Edhe mbështetësit e tij më të mëdhenj si Presidenti i Çekisë Zeman, francezja Marie Le Pen, italiani Matteo Salvini kanë dënuar që të gjithë pushtimin e Ukrainës. (r. a.)