BE nuk i njeh ende certifikatat e vaksinimit të Kosovës

Prishtinë, 17 dhjetor 2021 – Qytetarët e Kosovës, nga janari i vitit të ardhshëm, mund të mos lejohen të udhëtojnë në vendet e Bashkimit Evropian, pasi blloku nuk i njeh ende certifikatat e vaksinimit kundër koronavirusit, të lëshuara në Kosovë.

Për më tepër, BE-ja, nga 10 janari, synon t’i ndalojë të gjithë ata që nuk janë të vaksinuar me dozën e tretë të vaksinës. Aktualisht, për të hyrë në njërin nga vendet e bllokut mjafton testi negativ PCR i koronavirusit.

Vendimin përfundimtar për udhëtime nga jashtë, BE-ja pritet ta marrë në fund të dhjetorit.

Kosova, bashkë me Bosnje e Hercegovinën, mbeten dy vendet e vetme të Ballkanit Perëndimor, të cilave BE-ja nuk ua njeh certifikatat e vaksinimit.

Kjo, edhe përkundër faktit se në Kosovë jepen vetëm vaksinat Pfizer/BioNTech dhe AstraZeneca – të dyja të miratuara nga Agjencia Evropiane e Barnave dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Ministria e Shëndetësisë e Kosovës ka thënë se problemi me certifikatat është i natyrës teknike.

“Jemi në fazën kur duhet të bëhet i lexueshëm kodi QR offline (pa qenë të lidhur në internet). Aktualisht është i lexueshëm vetëm online. Çështja ka të bëjë me aspektin teknik”, ka thënë Dafina Gexha, zëvendësministre e Shëndetësisë, për Radion Evropa e Lirë.

Ajo ka thënë se ministria është duke punuar në mënyrë intensive që problemi të zgjidhet përpara 10 janarit, kur mund të hyjë në fuqi ndalimi i udhëtimit në BE pa tri doza të vaksinës.

“Besoj se deri atëherë edhe kjo certifikatë do të kompletohet dhe qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë pa pengesa jashtë vendit”, ka thënë zëvendës-minjtria Gexha.

Kodi QR, kur skanohet, ofron informacione për llojin e vaksinës së marrë, numrin e dozave dhe vendin e vaksinimit.

(REL)