BE vazhdon përpjekjet diplomatike për uljen e tensioneve në veri të Kosovës

Bruksel, 23 shtator 2021 – Bashkimi Evropian (BE) ka vënë në veprim diplomacinë e saj për uljen e tensioneve në pjesën veriore të Kosovës, pas zbatimit të reciprocitetit me Serbinë për targat e automjeteve.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë se Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, dhe i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, kanë qenë në kontakte me liderët e Kosovës dhe Serbisë dhe kanë ofruar ndihmën e tyre për uljen e tensioneve.

“Ne preferojmë që punën tonë ta bëjmë përmes kanaleve politike dhe diplomatike e jo përmes komenteve publike”, ka thënë Stano.

Stano nuk është përgjigjur në pyetjen nëse BE-ja ka ndonjë dëshmi se Kosova e ka shkelur marrëveshjen  për lëvizjen e lirë duke vendosur reciprocitetin për targat e automjeteve. Ai ka thënë se palët duhet të përmbahen nga veprimet e njëanshme dhe pa konsultime.

“E tërë situata nuk është doemos e lidhur vetëm me shkeljen e ndonjë marrëveshjeje specifike. Ka të bëjë edhe me veprime të njëanshme, pa konsultime. Pra, ne duam të evitohen veprimet e njëanshme dhe provokimet”, ka thënë Stano, citon Radio Evropa e Lirë.

Burime brenda BE-së kanë thënë se situata në veri të Kosovës dhe dialogu mes Kosovës e Serbisë kanë qenë temë e bisedimeve edhe në takimin Përfaqësuesit të lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borell, me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, në NjuJork.

Sipas të njëjtave burime, pala amerikane i ka shprehur mbështetje të plotë BE-së në përpjekjet për uljen e tensioneve në pjesën veriore të Kosovës.

Shtetet e Bashkuara janë përfshirë edhe në konsultime me palët në Prishtinë dhe në Beograd edhe në kuadër të grupit të QUINT-it.

(r.m.)