Bekim Jashari ankohet se atij iu vodh fitorja

Prishtinë, 17 tetor 2021 – Kandidati i pavarur për kryetar të komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, ka reaguar lidhur me zgjedhjet në këtë komunë.

Numërimi i më shumë se gjysmës së votave e nxjerr fitues të zgjedhjeve kandidatin e PDK-së, Fadil Nura.

Jashari në një postim në Facebook, shkruan se atij iu vodh fitorja. Au ka thënë se gjatë procesit zgjedhor në komunën e Skenderajt ka pasur, siç shprehet, “parregullsi të mëdha, si: blerje votash, shantazhe e presion tek votuesit”.

Ai ka paralajmëruar se do të kërkojnë drejtësi për manipulimet që me vota janë bërë në këtë komunë.

Nga numërimi i shumicës sëvotave del se Fadil Nura i ka fituar 55.66 për qind të votave, ndërsa Bekim Jashari i ka fituar 40.16 për qind të votave.

Postimi i plotë i Jasharit:

Të nderuar qytetarë,

Mbështetja juaj në çdo takim, sondazhet e Exit Polleve në njërën anë dhe rezultati zgjedhor sipas KQZ-së, është me mospërputhje të mëdha.

Gjatë ditës kemi raportuar për parregullsi të mëdha si blerje votash, shantazhe e presion tek votuesit.

Nga vëzhguesit tonë në vendvotime deri me tani janë raportuar për raste të fletëvotimeve të pa vulosura në rreth 11 Qendra të Votimit, situatë kjo e cila dëshmon për ekzistencën e blerjes se votës me sistemin e njohur si “treni bullgar”.

Po ashtu mungesa e komisionerëve nga subjekti jonë politik ka dëmtuar jashtëzakonisht shumë votën tonë.

Idealit dhe Drenicës duket se me manipulime, blerje votash iu vjedh fitorja dhe e ardhmja nga ata që janë pasuruar duke vjedhur Kosovën.

Pas mbledhjes së fakteve të shumta për manipulime do të kërkojmë drejtësi për manipulimet e bëra në këto zgjedhje në Skenderaj.

Ne do të presim numrin e votës se fundit për të dalur me njoftimin e ri.

I juaji çdo herë Bekim Jashari!

(r.m.)

Comment

*