Belgjika dhe Luksemburgu e mbështesin liberalizimin e vizave për Kosovën

Bruksel, 30 qershor 2021 – Belgjika do të mbështesë Kosovën në rrugën e saj drejt integrimit në Bashkimin Evropian, duke përfshirë procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Këtë premtim e ka bërë zonja Sophie Wilmès, zëvendëskryeministre dhe ministre për Punë të Jashtme, Çështje Evropiane dhe Tregti të Jashtme, sot, në Bruksel, në takim me ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.

Zonja Wilmès ka shprehur gatishmërinë e Belgjikës për mbështetjen e Kosovës edhe në  fusha të tjera dhe interesin për zgjerimin e bashkëpunimit midis dy vendeve.

Zyra e ministres Gërvalla kanjoftuar se gjatë takimit është diskutuar për ecurinë e zbatimit të marrëveshjeve aktuale mes dy vendeve dhe është theksuar nevoja për thellimin e bashkëpunimit nëpërmjet marrëveshjeve të tjera, si ajo për eliminimin e taksave të dyfishta, si edhe për zgjerimin e bashkëpunimit në fushë të sigurisë.

“Palët janë dakorduar për vazhdimin e konsultimeve politike mes ministrive të jashtme të të dyja vendeve gjatë këtij viti”, thuhet në njoftim.

Shefet e dikastereve të diplomacisë së dy vendeve kanë diskutuar edhe për situatën politike në Ballkanin Perëndimor, për bashkëpunimin rajonal, për bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe për procesin e integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian.

Ministrja Gërvalla ka shprehur mirënjohjet e Qeverisë së Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme të Belgjikës për demokratizimin, qëndrueshmërinë ekonomike dhe perspektivën evropiane të Kosovës.

Të martën, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla, është takuar në Luksemburg me kolegun e saj, ministrin e Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Luksemburgut, Jean Asselborn.

Gjatë darkës së punës, të shtruar nga kryediplomati i Luksemburgut, dy homologët kanë biseduar për bashkëpunimin dypalësh dhe për zhvillimet aktuale në Kosovë dhe nërajon.

Pas takimit, ministrja Gërvalla ka deklaruar se Luksemburgu e mbështet integrimin evropian të Kosovës dhe heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës.

“Luksemburgu vazhdon të mbështesë udhëtimin pa viza për të gjithë qytetarët e Kosovës në zonën Shengen. Luksemburgu qartazi e konsideron marrëdhënien me Kosovën si një partneritet të vërtetë”, ka thënë ministrja Gërvalla.

This image has an empty alt attribute; its file name is Jean-Asselborn_Donika-Gervalla.jpg

(r.m.)

Comment

*