SHISH ka zbuluar veprimtari sekrete të vendeve jo mike të Shqipërisë dhe NATO-s

Drejtori i SHISH-it Helidon Bendo tha se shtetet dhe shërbimet jomiqësore me Shqipërinë, përdorin aktivitetet klasike dhe hibride për realizimin e synimeve

Knid Ndrenika

Drejtori i Shërbimit Informaitv të Shtetit (SHISH), Helidon Bendo paralajmëroi se Shqipëria mund të përballet me veprimtari të strukturave sekrete të vendeve të huaja me qëllim propagande, dezinformimi dhe sulme kibernetike.

Zoti Bendo raportoi në Komisionin e Sigurisë Kombëtare të Kuvendit për veprimtarinë e SHISH-it gjatë vitit 2021.

Drejtori Bendo tha se konfliktet ndërshtetërore në Ballkan po shfrytëzohen nga vende të treta për të penguar dhe vonuar eurointegrimin dhe bashkëpunimin me Aleancën Veriatlanike.

Sipas tij, SHISH-i, ka zbuluar praninë e veprimtarive të strukturave të vendeve që quhen “jo mike” të Shqipërisë kundër interesave të vetë Shqipërisë dhe të NATO-s.

“Veprimtaria e shteteve/shërbimeve të inteligjencës kundërshtare ka vijuar me ndërthurje në rritje të aktiviteteve të inteligjencës me ato të natyrës hibride, si aktivitete influencuese malinje, propagandë e dizinformacion, narrativa përçarëse e me ndikim në perceptimin publik”-tha zoti Bendo.

Drejtori i SHISH-it saktësoi se shtetet dhe shërbimet jomiqësore me Shqipërinë, përdorin aktivitetet klasike dhe hibride për realizimin e synimeve.

“Në veprimtaritë e spiunazhit, ato përdorin një kombinim të metodave të mbyllura dhe të hapura, që përfshijnë propagandën, dezinformimin, sulmet kibernetike, grumbullimin e informacionit sensitiv nëpërmjet ndërhyrjes në rrjetet kompjuterike, për qëllime spiunazhi kibernetik, për të realizuar aktivitete/operacione influence informative dhe psikologjike”-theksoi ai.

Për gjendjen në Ballkan, zoti Bendo potencoi njëherit se është karakterizuar nga zhvillime të brendshme politike të brishta, me pasojë paqëndrueshmërinë qeverisëse në disa vende:

“Mosmarrëveshjet ndërshtetërore po shfrytëzohen nga vendet e treta për të mbajtur situatën në rajon të destabilizuar, me qëllim pengimin apo shtyrjen në kohë të proceseve integruese në BE e NATO të vendeve të caktuara të rajonit”.

Ndërkaq, drejtori vërejti se SHISH-i ka përshtatur mënyra bashkëkohore për t’iu përgjigjur kërcënimeve të reja.

Për të ardhmen, sipas drejtorit Bendo, SHISH-i ka vizion forcimin e kapaciteteve operacionale dhe kibernetike, për kundërvënien ndaj aktiviteteve të jashtëligjshme që kërcënojnë sigurinë kombëtare.

“Forcimi i kapaciteteve mbrojtëse dhe analitike ndaj kërcënimeve kibernetike është kryer duke ndjekur në dinamikë situata mbi kërcënime ndaj infrastrukturave publike dhe private të Republikën e Shqipërisë, duke arritur të identifikojë targetin e kërcënimit, llojin dhe natyrën e sulmit”-tha ai.