Beogradi është tymtari i Sputnikut rus në Ballkan

Emin AZEMI

Vuçiqi nuk mundet paradite të jetë me Brukselin, kurse pasdite të jetë me Sputnikun rus, duke i krijuar atij komoditet që nga Beogradi të nxjerrë tym helmues për gjithë hapësirën publike të Ballkanit. Sputniku rus, ky instalacion që është ngritur si një makineri dezinformimi, tymtarët e kontaminimit i ka të vendosur në Beograd dhe kjo i mjafton Brukselit e Washingtonit që në listën e sanksioneve ta fusin edhe Serbinë, bashkë me Bjellorusinë dhe Rusinë

 

Presidenti i Serbisë, A. Vuçiq, tha se e mbështet sovranitetin territorial të Ukrainës, por nuk tregoi se çfarë qëndrimi ka ndaj atij që po e cenon këtë sovranitet. Dhe kjo është një demagogji e zbrazët, sepse sovranitetin e Ukrainës askush s’po e vë në pikëpyetje, madje as Putini, por të mos e dënosh agresionin rus mbi Ukrainën dhe të mos u bashkohesh sanksioneve të botës demokratike kundër Kremlinit është, de fakto, miratim i të gjitha veprimeve kriminale që po ndërmerr këtyre ditëve Putini mbi popullin e Ukrainës.

Vuçiqi nuk e ka lehtë të del kundër Putinit, po ama nuk mund të tolerohet më nga Perëndimi, sidomos nga Brukseli, që ai të qëndrojë në dy karrige. Sepse në kohë paqeje gjithsecilit i lejohet ky luks, por në momente kur Putini po e sfidon gjithë rendin global botëror, kjo nuk tolerohet.

Vuçiqi nuk mundet paradite të jetë me Brukselin, kurse pasdite të jetë me Sputnikun rus, duke i krijuar atij komoditet që nga Beogradi të nxjerr tym helmues për gjithë hapësirën publike të Ballkanit. Sputniku rus, ky instalacion që është ngritur si një makineri dezinformimi, tymtarët e kontaminimit i ka të vendosur në Beograd dhe kjo i mjafton Brukselit e Washingtonit që në listen e sanksioneve të fusin edhe Serbinë, bashkë me Bjellorusinë dhe Rusinë. Kjo duhet të bëhet sa më parë, sepse kur Serbia do të shndërrohet në Bjellorusi të Ballkanit, atëherë do të jetë tepër vonë, siç u treguan të vonuara edhe disa reagime dhe lëvizje të Perëndimit ndaj krizës aktuale në Ukrainë.

Sputniku rus është krijuar për të sabotuar demokracitë perëndimore, kurse Serbia e Vuçiqit po i ndihmon sa po mundet këtij sabotimi.

Sputniku rus është krijuar për ta paraqitur NATO-n si ushtri agresore , kurse Serbia e Vuçiqit e refuzon kategorisht Alenacën Veriatlantik, sepse ende mendon se mund të reciklohet filmi i Ukrainës në skenën ballkanike. Kuptohet, kjo do të arrihej më lehtë pa NATO-n si forcë stabiliteti kolektiv. Sa më larg nga NATO, Serbia është më afër rrezikut për ta shndërruar këtë zonë të Ballkanit në rrip transmisioni të politikave invaduese ruse.

Në mozaikun e zhvillimeve që po ndërlidhet me invazionin rus në Ukrainë na imponohet edhe një detaj që nuk bën ta analshkalojmë – BALLKANIN E HAPUR. Tani kur jemi dëshmitarë të barbarive ruse në Ukrainë, mund ta kemi më të qartë se pse Vuçiqit i ngutej ta krijojë Ballkanin e Hapur.

Pse Vuçiqi arriti të lajthitë edhe Edi Ramën dhe përmes Ballkanit të Hapur të krijojë parakushte për një tampon zonë ku do të refuzohej influenca e BE-së, NATO-s dhe SHBA-së në dobi të “srpski svet” dhe “svet Rusie”.

Ende nuk e dimë nëse Edi Rama e quan veten të lajthitur apo jo, por ajo çka po na shohin sytë ka të bëjë me një strategji të sofistikuar ruso-serbe për një Ballkan të ri, pa ndikim evropian e amerikan, një Ballkan ku rregullat e diskursit politik i cakton Sputniku rus.

Nëse E. Rama vazhdon të jetojë në delirin e temjanit sllav mbi projektin e Ballkanit të Hapur, ky është një problem thelbësor sepse sne, si komb, duhet ta kemi  të qartë se nga (nuk)duhet të shkojmë dhe sit ë veprojmë në këto turbulenca dhe zhvillime dramatike që prekin një pikë në rajon, por e dridhin gjithë globin.

Comment

*