Beogradi kërkon integrimin pa kushte të pjesëtarëve të MUP-it në Policinë e Kosovës

Beograd, 12 qershor 2013 – Beogradi thotë se me planin e zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit parashihet që në Policinë e Kosovës të integrohen të gjithë pjesëtarët e Policisë së Serbisë që jetojnë e punojnë në komunat veriore të Kosovës me shumicë serbe.

“Në atë marrëveshje është definuar qartë se të gjithë pjesëtarët e MUP-it të Serbisë që jetojnë në Kosovë, gjegjësisht në veri të Kosovës, do të integrohen në Policinë e Kosovës”, i ka deklaruar gazetës beogradase “Politika” Branisllav Mitroviq, zëvendësdrejtor i i Policisë së Serbisë dhe anëtar i ekipit të Beogradit në dialogun teknik me Prishtinën, në Bruksel.

Mitroviq e ka kontestuar zëvendëskryeministrin e ministrin e Drejtësisë së Kosovës, Hajredin Kuçi, i cili ka deklaruar se në Policinë e Kosovës do të integrohen vetëm një pjesë e pjesëtarëve të policisë së Serbisë.

“Kosova nuk ka nevojë për 800 policë serbë në veri, por do të rekrutohen 100 deri në 150”, kishte thënë Kuçi .

Mitroviq ka thënë se kjo deklaratë e Kuçit është “në kundërshtim me marrëveshjen fillestare”. Por, ai ka pohuar se numri i pjesëtarëve të MUP-it që do të integrohen në Policinë e Kosovës nuk dihet ende,

Ai ka thënë se Prishtina “vazhdon të mohojë integrimin e tyre dhe dëshiron që kjo të bëhet në bazë të konkursit”, dhe ka theksuar se ekipi i Beogradit kërkon që “integrimi  të bëhet pa kushtëzime” .

R.M.