Beqaj: Personeli mjekësor patjetër në testim, bëjmë reforma dhe shëndetësi falas (zë)

Intervistë e ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj dhënë gazetës “Illyria” të komunitetit shqiptaro-amerikan në Shtetet e Bashkuara (Pjesa 1)

Bisedoi: Denion Ndrenika

-Zoti ministër, faleminderit që gjetët kohën për të biseduar me gazetën “Illyria” të komunitetit shqiptaro-amerikan në Shtetet e Bashkuara.

-Ilir Beqaj: “Faleminderit për kërkesën për të biseduar nëpërmjet jush me lexuesit në SHBA”.

-Zoti Beqaj, mjekët kanë nevojë për testim apo për formim? Përfshi edhe çështjen e krediteve. Çfarë do të ndodhë me ata që nuk do t’i marrin kreditet? Lirohet vendi i punës? Ngjashëm, të përdorim të njejtën pyetje, edhe për infermierët. Ka disa studentë që hynë në grevë. Ka lidhje kjo me një shqetësim ndoshta në rritje për shumëkënd?

-Ilir Beqaj: “Atëherë, po e fillojmë nga fundi. Greva e studentëve të infermierisë nuk ka lidhje me kujdesin shëndetësor.
Ajo është një çështje e arsimit të lartë. Sigurisht që unë e ndjek edhe atë me shqetësim për angazhimin politik, për prezencën në qeveri.
Lidhur me çështjet e formimit profesional, rritjes së kapaciteteve të burimeve njerëzore, e certifikimit të krediteve të testimit. Le t’i ndajmë për momentin testimin nga procesi i edukimit në vazhdim. Apo, sidomos nga cikli 5-vjeçar, i cili sapo ka përfunduar në dhjetor të 2014-ës.
Ajo çfarë kemi sot, është që 1/3 e trupës së mjekëve, stomatologëve dhe farmacistëve në Shqipëri nuk i kanë përmbushur standardet.
Ata që kanë zero kredite, pra që nuk kanë bërë asnjë përpjekje, do të duhet të njoftohen urdhërat e profesionistëve (Urdhëri i Mjekut, Urdhëri i Farmacistit. v.j.),. që të marrin masa në bllokimin e cerfifikatës së ushtrimit të profesionit.
Për ata që punojnë në institucione publike do t’u shpallet vakant vendi i punës. Ndërsa, për ata mjekë që kanë 1-149 kredite apo stomatologë dhe farmacistë 1-99 kredite, do t’u ofrojmë mundësinë që brenda 15 tetorit të mund të rijapin provimin për të ricertifikuar dëshminë e ushtrimit të profesionit të tyre”.

-Ku jeni me projektin për shëndetësi falas dhe reforma? Po e quajmë “premtim”, për arsye se ka zëra që thonë se nuk ka falas, pra vetëm falas nuk është. Ka diçka, ka hapa në këtë?

-Ilir Beqaj: “Sigurisht që angazhimi ynë kryesor programor është mbulimi universal i financuar nga taksimi i pëgjithshëm. Që, do të thotë se është një shërbim që ofrohet pa pagesë për ata që kanë nevojë në vendin ku ofrohet shërbimi. Nëse mund të shprehem “free at the point of delivery”.
Po sigurisht që kushton!
Derisa themi që financohet nga taksimi i përgjithshëm, faturën konkrete e paguajmë nga taksimi i përgjithshëm ku kontribuojmë të gjithë sipas një sistemi fiskal që kemi në Shqipëri dhe ai që ka nevojë ta marrë, do ta marrë pa pagesë.
Sigurisht që na duhet të reformojmë edhe cilësinë e shërbimit që ofrojmë. Sepse, nuk mjafton të thuhet që është pa pagesë dhe pastaj në qendrën mjekësore mungon bari, materiali mjekësor, pajisja ekzaminuese, mjeku që duhet, apo është pa pagesë, por barriera gjeografike është e tillë që prapë është kosto për kujdesin shëndetësor.
Në këtë kompleks edhe po ravijëzojmë ndërhyrjen tonë. Por, elementët e parë të zbatimit të programit tonë kanë filluar. Për shembull, programi shëndetësor, programi i kontrollit bazë shëndetësor pa pagesë, 45 vjeç-65 vjeç ka filluar të zbatohet. Ai është falas për këdo që jeton në Shqipëri.
Dhe, jo vetëm kaq. Por, këtu kemi një qasje të re, sepse nuk merremi me pacientin, por merremi me të shëndetëshmin. E ftojmë një herë në vit të vijë të kontrollohet pa qenë i sëmurë, pa patur shqetësim. Pse? Sepse, të dhënat tregojnë që në atë moshë fillojnë të shfaqen sëmundejet dhe sa më shpejt t’i zbulojmë aq më mirë është për individin, për familjen, për shoqërinë por edhe për sistemin shëndetësor vetë”.

-Keni përgjigje zoti ministër (do t’i lexoj këto) për vërejtjet e Bankës Botërore që miratoi 32,1 milionë euro kredi se shëndetësia vuan nga mungesa e efikasitetit dhe nga pabarazitë; Se, shpenzimet nga xhepi të pacientëve përbëjnë mbi gjysmën; Se pagesat nën dorë mbeten të zakonshme, sidomos në spitalet publike; Se, vetëm gjysma e të varfërve janë të mbuluar nga sigurimet shëndetësore dhe se shpenzimet në rritje për shëndetin kanë çuar më shumë familje drejt varfërisë?

-Ilir Beqaj: “A mund t’i marrim një nga një ju lutem, sepse nuk i mbaj mend të gjitha”?

-Patjetër! Mund të mbani edhe fletën.

-Ilir Beqaj: “Atëherë, sigurisht që këto që thotë Banka Botërore këtu janë të vërteta.
Që, do të thotë se më shumë se gjysmën e shpenzimit të kujdesit shëndetësor ne e paguajmë direkt vetë.
Që ka pagesa nën dorë në Shqipëri apo ai që quhet “korrupsion”, “rryshfet” etj., etj., edhe kjo është e vërtetë.
Që, shumë njerëz në moshë pune ngaqë nuk kanë punë, nuk kanë sigurime shëndetësore, janë të përjashtuar dhe do të duhet ta paguajnë vetë, edhe kjo është e vërtetë.
Dhe, besoj se po t’i kthehemi diskutimeve të përpara pak kohëve, kanë qenë argumentat kryesore të artikuluara edhe nga ne kur ishim në opozitë, kur thamë se përse duhet të shkojmë drejt mbulimit universal të financuar nga taksimi i përgjithshëm?
Sepse, po e përsëris që ne e quajmë shëndetin një të drejtë publike, një të mirë publike dhe si e tillë nuk mund t’i lihet asaj që kush ka parà e përfiton kujdesin, e kush s’ka parà s’e përfiton!
Nga ana tjetër, unë besoj se programi ynë i shëndetësisë dhe puna që po bëjmë, edhe për të përmirësuar efikasitetin, e bind Bankën Botërore që pranon të hyjë me një financim të tillë në sistemin shëndetësor.
Besoj se sigurisht që ne kemi nevojë për këtë investim. Javën tjetër miratojmë në Kuvend një kredi 16 milionë euro, plus 1,5 milionë euro grant nga Banka e Këshillit të Europës që bashkë me 7 milionë euro të Buxhetit të Shtetit janë prapë për QSUT-në, rreth 24,7 miliionë euro dhe të gjitha këto janë ndërhyrje që i ka të domosdoshme shëndetësia shqiptare.
Ka nevojë edhe për më shumë, por edhe tavanet apo kufizimet e marrjes së huave në kuadrin e përgjithshëm të vendit, nuk na lënë që të lënë që të vazhdojmë me shumë investime edhe më shpejt.
Kjo është një nga arsyet, që më lejoni të bëj një parantezë; që ne po përpiqemi ta shfrytëzojmë shumë partneritetit publik-privat për disa ndërhyrje në shëndetësi, sepse ashtu jemi në gjendje që mund të thithim më shpejt investime të domosdoshme financiare dhe pastaj t’i shlyejmë në kohë.
Kështu që besoj që edhe këto investime do të ndihmojnë që ta fuqizojmë dhe të ecim me më shumë shpejtësi brenda kantierit të shëndetësisë për të reformuar radikalisht edhe cilësinë e shërbimit shëndetësor që ofrojmë”.

-Thatë se do të ndërhyni me ligj po të jetë e nevojshme, nëse e humbisni çështjen e testimit të infermierëve në themel, pra edhe pas pezullimit nga Gjykata Administrative. Mendoni zoti ministër se është zgjidhja e duhur gjithmonë?

-Ilir Beqaj: “Po, nëse gjykata do të çmojë që aktet e deritanishme janë të pambështetura në ligj, sigurisht që do të duhet të bëjmë një reflektim për të parë se kush është korniza ligjore e re që duhet të rregullojmë këtë proces”.

-Nuk mendoni se bie poshtë puna akademike, arsimimi 10 apo 15 vjeçar i mjekëve në rast të testimit? A ka ndonjë shpjegim që trupa akademike në përgjithësi, rektoratet të themi të mos ndihen “të fyer”?

-Ilir Beqaj: “Së pari, po e nis nga kjo e fundit. Ne kemi thënë që ata, ai personel mjekësor që është staf i institucioneve universitare nuk është pjesë e testimit.
Së dyti, në botën e sotme, edhe në mjekësi, ajo çka mësohet në shkollë nuk vlen më shumë se 10 vjet.
Po të mbaroje shkollën në vitet ‘60 të vlente për të gjithë jetën, kurse sot dijet duhen rifreskuar.
Ne jemi të vetëdijshëm që mjekët dhe infermierët sidomos në sektorin publik e kanë pothuajse të pamundur që të investojnë nga paga e tyre mujore apo buxheti familjar për t’u trajnuar.
Besoj që është e domosdoshme që duhet të shpenzojmë parà publike edhe për formimin e tyre profesional.
Për këtë qëllim duam të kemi një vlerësim sa më të mirë të situatës konkrete, të njohurive që u mungojnë, në mënyrë që t’u plotësojmë në mënyrë sa më shpejtë dhe sa më efikase”.