Beqaj: Tirana dhe Prishtina të mendojnë për shëndetin e 5 milionë shqiptarëve (zë)

Intervistë e ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj dhënë gazetës “Illyria” të komunitetit shqiptaro-amerikan në Shtetet e Bashkuara (Pjesa 3)

Bisedoi: Denion Ndrenika

-Në çështjet kryesore të bashkëpunimit të Shqipërisë me Kosovën është shëndetësia. Më thoni ju lutem si po ecet me Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor? Pra, që mund të kemi financime të Shqipërisë në Kosovë?

-Ilir Beqaj: “Unë besoj se ne kemi ende një bashkëpunim në nivele modeste Shqipëri-Kosovë në fushën e shëndetësisë në rrafshin institucional.
Është e vërtetë që ndërkohë shumë shqiptarë që jetojnë në Kosovë shfrytëzojnë kapacitetet dhe mundësitë që ofron shërbimi shëndetësor shqiptar publik dhe jopublik. Por, më shumë kjo bëhet në mënyrë individuale apo edhe sipas kontakteve që mjekë në të dy anët e kufirit kanë me njeri-tjetrin.
Sëfundmi kemi bërë disa hapa të parë për ta institucionalizuar këtë marrëdhënie.
Ne kemi një protokoll bashkëpunimi të firmosur që me ministrin e mëparshëm të shëndetësisë në Kosovë, doktor Aganin.
E rikonfirmuar me ministrin e ri të shëndetësisë në takimin që kemi patur këtu në Tiranë para disa javësh.
Ai protokoll ndërkohë është shtrirë në bashkëpunim të drejtpërdrejtë ndërmjet disa institucioneve shëndetësorë.
Që, do të thotë institucionet përkatëse që rregullojnë tregun e barnave në të dy vendet, fondet e financimit të institucioneve në të dy vendet, inspektoratet e shëndetësisë në të dy vendet, institucionet e shëndetit publik në të dy vendet, Qendra Klinike Universitare e Kosovës me Qendrën Universitare në Tiranë, fakultetet e mjekësisë.
Ndërkohë që kemi filluar një bashkëpunim më konkret ku shërbim ynë i kardiokirurgjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ka filluar të zbatojë disa procedura kirurgjikale ndërhyrjesh edhe në spitalin e Kosovës, me angazhimin që gradualisht edhe mjekë nga Kosova të mund të vijnë të specializohen në kardiokirurgji te ne, në mënyrë që edhe në Prishtinë të funnksionojë një shërbim kardiokirurgjie.
Mesa unë kam, vizituar edhe vetë, atje ka tani infrastrukturë për ta bërë këtë punë dhe do t’i duhet që dora-dorës mjekët e zotë që janë atje të kenë më shumë hapësira për të zbatuar këtë gjë”.

-Zoti ministër ç’po bëhet me lejet e punës, pra të ushtrimit të profesionit të mjekëve për të punuar në Kosovë dhe në Shqipëri?

-Ilir Beqaj: “Ajo që në fakt duam të bëjmë është që të nxisim një bashkëpunim më të afërt, më të ngushtë edhe midis urdhërave të profesionistëve, në mënyrë që të arrijmë në unifikimin e praktikave, në bazë të të cilave jepet certifikata e ushtrimit të profesionit.
Besoj se nëse do ta arrijmë këtë gjë, do të jetë shumë më e lehtë, shumë më transparente dhe mund të bëjmë pastaj edhe një marrëdhënie njohjeje reciproke pa qenë e nevojshme që administrata e të dy vendeve, mjekët të marrin lejet përkatëse për të ushtruar profesionin e mjekut”.

-Cilat janë rezultatet e deritashme të marrëveshjes për kurimin e banorëve të zonave verilindore Kukës, Has, Tropojë në spitalin e Gjakovës? Si mbulohen kryesisht nga ana financiare, hospitalizmi? Ka një faturë?

-Ilir Beqaj: “Për momentin nuk kemi një bashkëpunim institucional që do të mund të çonte le të themi në bilance të mirëfillta financiare.
Ne në fakt kemi bërë disa ndryshime ligjore që tashmë i lejohet Fondit tonë të Sigurimit Shëndetësor që të mund të paguajë edhe në institucione shëndetësore jashtë vendit.
Deri më sot lejonim të paguanim institucione publike dhe jo publike dhe është në fuqi që nga tetori (2014.v.j.).
Synimin e parë e kemi patur që të mund të përfitojmë nga shërbimi shëndetësor që ofrohet në Gjakovë për pacientët shqiptarë që kanë nevojë për shërbimin e dializës, kryesisht nga Bajram Curri, ose të themi nga Tropoja dhe nga Hasi, sepse distanca gjeografike është e tillë që ua bën shumë më të lehtë këtë shërbim që ata e kanë jetik dhe e marrin dy deri në tri herë në javë gjatë gjithë jetës”.

-Sa është numri, nëse ju keni statistika, i pacientëve nga Kosova që trajtohen në Shqipëri brenda vitit dhe mundësisht për specialitetet, pra për sëmundjet që janë?

-Ilir Beqaj: “Në këtë moment më keni gjetur pak të papërgatitur për të patur një statistikë të mirëfilltë.
Por, unë mund t’ju them që në shërbimin e neurokirurgjisë, në shërbimin e kardiokirurgjisë, në shërbimin e kardiologjisë mininvazive, por edhe në spitalin rajonal të Shkodrës ka shqiptarë që nuk janë ose më mirë ka shqiptarë që janë nga Kosova, nga Maqedonia apo nga Mali i Zi që marrin shërbim shëndetësor”.

-Zoti ministër dolën mirë, ju e përmendët, ndërhyrjet e para në zemër në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës nga mjekët, nga ekipi i mjekëve të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Natyrisht që pyetja ndoshta ka një farë përsëritjeje. Por, përveçse mungon një faturë financiare deri tani, përballimi me barna, apo shkuarja dhe ardhja e këtyre pacientëve, nëse do të kenë nevojë për kurim të mëtejshëm në Shqipëri, si bëhen?

-Ilir Beqaj: “Në rastet e ndërhyrjeve kirurgjikale në zemër që janë bërë nga ekipi i mjekëve tanë të QSUT-së, deri më sot unë nuk kam informacion për nevoja trajtimi të mëtejshëm të këtyre pacientëve kosovarë që të kenë kërkuar te ne barna apo materiale mjekimi më shumë.
Po e përsëris, që me aq sa unë kam parë në bllokun operator në spitalin e Prishtinës, është infrastruktura e nevojshme që të mund të kryhen operacione siç kryhen edhe në Tiranë”.

-Ka një marrëveshje ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës që i trajton shtetasit, pacientët nga Kosova në Shqipëri njejtë si shtetas, si pacientë të Shqipërisë. Mendoni se kjo marrëveshje ka nevojë për t’u rregulluar? Ku çalon dhe si po e vlerësoni rishikimin e saj?

-Ilir Beqaj: “Unë besoj se ne, ose më mirë le të themi, fondet që financojnë kujdesin shëndetësor në të dy vendet do të duhet të punojnë në një mënyrë shumë më të ngushtë për të përcaktuar kostimin e ndërhyrjeve respektive dhe në këtë mënyrë pastaj respektivisht sipas grupsëmundjeve të ndryshme mund të bëhen kompensimet financiare.
Megjithatë besoj se ne na duhet që në një vizion më afatamesëm apo më afatgjatë të marrim vendime të përbashkëta për ta vlerësuar të gjithë hapësirën tonë, të gjithë institucionet shëndetësore që ofrojnë shërbim shëndetësor në Shqipëri dhe në Kosovë, si një diçka të integruear që i shërben në mënyrë të përditshme ose që duhet t’i shërbejë në mënyrë të përditshme një popullate prej 5 milionë banorësh.
Me këtë dua të them që ndoshta investime të rëndësishme që duhet të bëhen në shëndetësi do të duhet t’i koordinojmë duke dakordësuar që një shërbim i caktuar mund të zhvillohet në mënyrë më të mirë e më të plotë në Shqipëri dhe një shërbim tjetër mund të zhvillohet në mënyrë më të mirë e më të plotë në Kosovë për të patur në Tiranë dhe në prishtinë dy qendra sa më të mira, të cilat nuk e konkurrojnë, por e komplementojnë njera-tjetrën.
Sigurisht që nuk është edhe aq e lehtë, sepse do të duhet të dakordësojmë edhe brenda botës akademike mjekësore, ku sigurisht nevoja për të patur nxitje, përparim, por dhe konkurrencë nuk është e lehtë të administrohet”.

-Të gjitha këto sa po më thoni zoti ministër, janë të hartuara në një plan pse jo për t’ia paraqitur mbledhjes së ardhshme të të dy qeverive apo ka ende nevojë për diskutime dhe shqyrtime veçmas?

-Ilir Beqaj: “Jo, ne kemi një program bashkëpunimi midis dy ministrive, që unë jua thashë që edhe ministri i ri i shëndetsisë i ka konfirmuar.
Ndërsa, për mbledhjen e ardhshme të datës 23 mars do të punojmë për një axhendë më konkrete sipas grupeve të punës respektive që janë ngritur për këtë gjë”.

-Lidhur me marrëveshjen që folëm për trajtimin e shtetasve të Kosovës si shtetas të Shqipërisë. A është e mundshme për të nxitur një të ngjashme për shqiptarët etnikë të Malit të Zi, shtetit maqedonas dhe Luginës së Preshevës?

-Ilir Beqaj: “Po… Problemi është ky që, këto marrëveshje duhen vendosur edhe në rrafshin e bashkëpunimeve dypalëshe mes vendeve.
Pra, nëqoftëse një marrëveshje me Kosovën është bërë në momentet kur Kosova sapo kishte marrë pavarësinë, kur ishte ende nën një regjim të ndërmjetëm në administrimin e Kombeve të bashkuara, kur institucionet e saj donin kohën e tyre që të ngriheshin, në dy vendet e tjera në Malin e Zi dhe në Maqedoni, ka një sistem të kujdesit shëndetësor dhe në kuadrin e bashkëpunimit dhe marrëveshjeve që do të lidhen midis dy vendeve ose më mirë të themi mes vendeve respektive, do të mund të zhvillohen edhe më tej.
Për shembull unë jam shumë i kënaqur dhe dua ta shfrytëzoj këtë mundësi për të falënderuar shërbimin shumë të mirë që iu bë në spitalin e Tuzit, pacientëve shqiptarë që u aksidentuan në fund të nëntorit”.

-Faleminderit zoti ministër dhe shpresoj të shihemi më shpesh.

-Ilir Beqaj: “Besoj se do ta mbajmë parasysh. Faleminderit”.