Berger: Procesi i Berlinit – nisma e vetme gjithëpërfshirëse në Ballkanin Perëndimor

Berlin, 12 shtator 2021 – Gjermania i sheh të parealizueshme nismat e pjesshme në Ballkanin  Perëndimor, si “Ballkani i Hapur”, e cila është promovuar nga Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe kryeministri i Maqedonisë së Veroit, Zoran Zaev.

Qeveria gjermane thekson se Procesi i Berlinit synon promovimin e bashkëpunimit midis vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe mbështetjen e procesit të integrimit të tyre në Bashkimin Evropian.

Këtë qëndrim e ka shprehur Sekretari i Shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Miguel Berger, në një intervistë për Deutsche Welle, realizuar nga gazetarja Anila Shuka.

“Procesi i Berlinit, i iniciuar nga Kancelarja Gjermane, Angela Merkel, në vitin 2014, për të promovuar bashkëpunimin rajonal, duhet parë si një mbështetës i procesit të zgjerimit të BE-së”, ka thënë Berger.

“Ne duam forcim të qëndrueshëm të bashkëpunimit midis të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor. Këtë qasje po e ndjekim në Procesin e Berlinit”,ka theksuar ai.

Berger, me një gjuhë diplomatike, i ka cilësuar të parealizueshme nismat si “Ballkani i Hapur”, derisa ato nuk përkrahen nga të gjashtë vendet e rajonit. 

“Në parim, natyrisht, çdo bashkëpunim rajonal në Ballkanin Perëndimor është për t’u përshëndetur. Por, nga ana tjetër, është e rëndësishme që bashkëpunimi rajonal të jetë gjithëpërfshirës dhe i hapur për të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Me këtë kam parasysh si zhvillimin e ideve dhe nismave të reja, ashtu edhe zbatimin e tyre”, ka thënë Berger.

“Zgjidhjet e përkohshme që po propozohen nuk janë alternativa të vërteta dhe nuk kërkohen as nga qeveritë dhe as nga qytetarët e rajonit”, ka shtuar ai.

Berger ka kujtuar se në kuadër të Procersit të Berlinit është duke u hartuar edhe një marrëveshje për lëvizjen e lirë e njerëzve dhe mallrave në rajonin e Ballkanit, e cila po  përdoret si “objektiv” i promotorëve të “Ballkanit të Hapur”  

“Për ne është vendimtare që në samitin e fundit të Procesit të Berlinit, më 5 korrik, krerët e shteteve dhe të qeverive të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, me ftesë të kancelares Merkel, riafirmuan përpjekjet e tyre për të jetësuar Tregun e Përbashkët Rajonal. Ky është një projekt vërtet historik, për të cilin u zotuan të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, në Samitin e Procesit të Berlinit, në Sofje, në nëntor 2020. Në këtë kontekst, me mbështetjen e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, RCC, janë duke u negociuar të katër marrëveshjet e reja, përfshirë edhe një marrëveshje për lëvizjen e lirë të njerëzve me karta identiteti dhe një marrëveshje për njohjen e kualifikimeve akademike dhe profesionale. Këto janë marrëveshje që do të sjellin përmirësime reale për njerëzit në rajon. Për shembull, nuk do të nevojiten më viza për udhëtimet midis Kosovës dhe Bosnjë-Hercegovinës”, ka thënë Berger.

Sekretari i Shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Miguel Berger, ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet të arrinjë sa më shpejt një marrëveshje midis tyre. Ai ka thënë se të dy palët duhet të bëjnë. Siç sështë shprehur, “compromise të dhimbshme”.

“Në fund, do të nevojiten të bëhen edhe kompromise të dhimbshme, në mënyrë që negociatat të përmbyllen me një marrëveshje gjithëpërfshirëse, të qëndrueshme dhe detyruese, që do t’u mundësojë të dy vendeve të bashkohen me BE-në”, është shprehur Berger.

Ai shfaqur shpresën se në samitin e radhës BE-Ballkani Perëndimor qëdo të mbahet më 6 tetor në Slloveni do të kapërcehen pengesat për çeljen e negociatave për anëtarësim në BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut,

“Ne duam një sinjal të qartë se rruga evropiane e rajonit do të vazhdojë. Prandaj, ne shpresojmë shumë që do të arrijmë t’i shmangim pengesat aktuale, në mënyrë që të fillojmë përfundimisht negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, të cilat u vendosën në mars 2020. Zgjidhja është në tryezë. Në qershor ajo u mbështet shprehimisht nga 26 shtete anëtare të BE-së”, ka thënë Berger.

(r.m.)

Comment

*